Frikë nga protesta? Rama tenton të përçajë qytetarët duke përdorur Greqinë

Protestat pa ngjyrime politike duket se janë frika më e madhe e kryeministrit Rama, teksa edhe sot mijëra qytetarë pritet të mblidhen në Tiranë për të protestuar kundër projektit të resortit në Zvërnec.

Pasi provoi dhe dështoi me mediat dhe analistët e blerë të hidhte në opinionin publik tezën se protesta ishte sponsorizuar nga Greqia për të mos i dhënë Shqipërisë mundësinë të ndërtojë një resort turistik që do të tërhiqte turistë nga gjithë bota, sot ai zgjodhi të propagandojë vetë për këtë.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Rama akuzon mediat greke se “janë bërë njësh me shqiponjat për të shpëtuar atdheun tonë nga ardhja e hoteleve më prestigjiozë të botës”.

Kreu i qeverisë përpiqet të përdorë kartën e nacionalizmit dhe të nxisë urrejtje për mediat greke, për të ndaluar qytetarët t’i bashkohen protestës që do të nisë në orën 18:00.

Postimi i Ramës:

“35 VJET S’E KAM PARË KURRË KËTË MOBILIZIM”

Eh vëllai im, po normal, sepse për herë të parë në 35 vite Shqipëria po synon Olimpin e turizmit me një projekt marramendës, që nuk e ka askush në këtë anë të botës🤷🏻‍♂️

E tani që projektit po i afrohet dita e daljes në dritë, dolën shqiponjat të mbrojnë atdheun nga 4 miliardë Eurot investim të partnerëve amerikanë e katariotë🙈

Dhe për herë të parë në 35 vjet, mediat greke dhe faqet me miliona ndjekës në Greqi, janë bërë njësh me shqiponjat për të shpëtuar atdheun tonë nga ardhja e hoteleve më prestigjiozë të botës, nga 10 mijë vende pune cilësore, nga rritja e prodhimit të përgjithshëm kombëtar me 4% deri në 2030, rritja e të ardhurave për frymë, rritja e pagave e pensioneve (si në Malin e Zi për shembull, largqoftë), nga rritja e vlerës së pronës së çdo vlonjati e jo vetëm, nga zgjerimi i zinxhirit të vlerës për bujqit, peshkatarët, shoferët e me radhë të gjithë subjektet e lidhura me atë zinxhir, nga personazhet botërore të artit, sportit, modës, biznesit, që mos e dhëntë Zoti do vinin e do flinin, disa edhe do blinin edhe shtëpi në Vlorë…

Po mirë këto, po pse pak është shpëtimi i Shqipërisë nga rritja e mëtejshme e imazhit ndërkombëtar, i cili edhe kaq edhe u teprua shumë, sepse në sytë e botës Shqipëria duhet të jetë mafie, korrupsion, llum😩

Prandaj të gjithë shqiponjat në protestë sot, se mbulimin nga media greke e keni të garantuar, dy zogj me një gur dmth