Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar sot disa ndryshime në përfaqësimin diplomatik të Shqipërisë.
Spiro Koçi është emëruar ambasador në Bosnjë dhe Hercegovinë, ndërsa Florian Nova ambasador në Egjipt, duke mbuluar gjithashtu Sirinë, Jordaninë, Libinë, Palestinën, Libanin dhe Sudanin.
Elvira Isufi është emëruar ambasadore në Suedi, si dhe jo-rezidente në Finlandë, Islandë dhe Norvegji.
Dastid Koreshi është emëruar ambasador në misionin e Shqipërisë pranë OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë.
Ndërkohë, Ermal Muça, ambasador në Japoni, është ngarkuar edhe me detyrën e ambasadorit jo-rezident në Korenë e Jugut.
Presidenti dekretoi gjithashtu lirimin nga detyra të Donika Hoxhës në Bosnjë dhe Hercegovinë, Dastid Koreshit në Strasburg dhe Eglantina Gjermenit në Vjenë.
Njoftimi i plotë:
Presidenti i Republikës Bajram Begaj dekretoi sot lirimin e: Donika Hoxha, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kroacisë, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Bosnjë dhe Hercegovinë, jo rezident, vetëm nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Bosnjë dhe Hercegovinë, jo rezident.
- Dastid Koreshi, nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës, në Strasburg, rezident.
Znj. Eglantina Gjermeni nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Misionit të OSBE-së dhe Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë, rezident.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Bajram Begaj, dekretoi sot emërimin e:
- Spiro Koçi, në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Bosnjë dhe Hercegovinë, rezident.
- Florian Nova, në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën Arabe të Egjiptit, rezident, dhe Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën Arabe të Sirisë, në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë, Shtetin e Libisë, Shtetin e Palestinës, Republikën Libaneze dhe në Republikën e Sudanit, jo rezident.
Znj. Elvira Isufi, në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Suedisë, rezident, dhe Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Finlandës, në Republikën e Islandës dhe në Mbretërinë e Norvegjisë, jo rezident.
- Dastid Koreshi, në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të Tjera Ndërkombëtare në Gjenevë, rezident.
- Ermal Muça, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Japoni, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Filipineve, Republikën e Indonezisë, Republikën e Singaporit dhe në Malajzi, jo rezident, u emërua edhe në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Koresë, jo rezident.