SPAK ka dhënë sot pretencën për Plaurent Dervishajn dhe Julian Meçen, të pandehur në lidhje me atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2019.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar burg përjetë për Dervishajn dhe 35 vite burg për Meçen.
Plaurent Dervishaj akuzohet si organizator dhe porositës i atentatit, ku mbeti i vrarë Andi Maloku, shoferi i ish-prokurorit Ndoja, ndërsa Julian Meçe ka patur rolin e financuesit.
Pretenca u paraqit nga prokurori i SPAK Adnan Xholi, bazuar nga përgjimet në Sky ECC dhe provat e tjera të mbledhura në vendin e ngjarjes, por edhe më vonë gjatë procesit hetimor.
Kujtojmë se për këtë ngjarje është dënuar me burgim të përjetshëm, Redjan Rraja, në rolin e ekzekutorit.
Rraja u arrestua në Shkodër në nëntor të 2019, në pikën kufitare të Hanit të Hotit, në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi, pasi u zbulua nga gjurmët e gishtërinjve, të gjetura në një palë syze në makinën që u braktis nga atentatorët në Ishëm.