Gazment Bardhi do të jetë sërish kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Emri i tij u propozua nga kryedemorkati Sali Berisha, por deputeti demokrat i vlorës, Bujar Leskaj ka qenë kundër.
Ai nuk i dha votën Bardhit duke thënë se ishte kundër zgjedhjes së tij duke shtuar se Berisha ka gabuar rëndë në këtë rast.
“Isha kundër kryetarit të grupit parlamentar. Mendoj se Doktor Berisha ka gabuar në këtë rast, ka gabuar rëndë madje!”, tha Leskaj. Megjithatë, i pyetur nëse kjo nënkuptonte ndarje nga PD, ai e mohoi.
“Pse do ndahem? Jam deputet i Partisë Demokratike”- tha ai.
Në mbledhjen e sotme, përveç Bardhit si kryetar i grupit, PD zgjodhi si nënkryetarë Belind Këlliçin dhe Tomor Alizotin. Sekretare e grupit është emëruar Elda Hoti, ndërsa zëdhënëse Ledina Alolli.
Gjithashtu, Agron Gjekmarkaj u konfirmua si nënkryetar i Kuvendit.