Detaje të reja janë mësuar në lidhje me aksion e SPAK një ditë më parë lidhur me goditjen e grupit kriminal të trafikut të drogës që drejtohej nga Franc Çopja dhe vëllezërit Ervis dhe Ardian Çela.
Sipas SPAK, kjo organizatë konsiderohet si një nga më të fuqishmet e përfshira në trafikun e kokainës në Evropë, me kapacitet për të ndikuar drejtpërdrejt në çmimet e tregut.
Burime për mediat bëjnë me dije se me urdhër të SPAK-ut, oficerët e BKH-së kanë ushtruar dje kontrolle në ambientet e “Klajdi Resort”, i ndodhur në Golem të Kavajës.
Ndërkohë hetuesit e BKH-së kanë sekuestruar edhe telefonin e pronarit të resortit, Orman Kokoshi, si pjesë e provave materiale.
Por ky resort, u promovua pak muaj më parë nga kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali, e cila e konsideronte si nje investim familjar dhe si një shembull “se si puna e ndershme dhe vizioni afatgjatë ndërtojnë më shumë se struktura; ndërtojnë besim, punësim dhe zhvillim për komunitetin”.
Por ajo që bie në sy është se ky postim është zhdukur nga postimet në rrjete sociale të kryeparlamentares. Po të bësh një kërkim të thjesht në google, linku që të çon drejt postimit të Spiropalit në kërë resort është hequr, si në Facebook, ashtu edhe në Instagram.

Nuk dihet nëse linku nga rrjetet sociale të kryeparlamentares është hequr menjëherë pasi doli lajmi për kontrollet në resortin në Kavajë, që ishte vizituar nga vetë ajo.
Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, lëshoi 16 urdhër-arreste në total pas operacionit në qytetet Elbasan, Lushnje, Durrës, Tiranë. Nga 16 masa sigurie, 14 masa janë “arrest në burg” dhe 2 “detyrim paraqitje”.
Hetimet për këtë aksion janë zhvilluar në bashkëpunim me Belgjikën, Gjermaninë, Francën, Italinë dhe Holandën, duke përdorur të dhënat e siguruara nga komunikimet e enkriptuara në aplikacionin SkyECC.