Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj ka denoncuar një tjetër detaj të rëndë që ka ndodhur me djalin e ri protestues, Enean, i cili sot, në oborrin e Parlamentit krah Shehajt dhe deputetit Erald Kapri bëri publike dhunën që kanë ushtruar ndaj tij në zyrat e Komisariatit Nr.1 në kryeqytet.
Kreu i Mundësia thekson se ndaj të riut 23-vjeçar po bëhet presion që ai të ndryshojë dëshminë e tij.
Shehaj deklaron se është paraqitur me urgjencë në ambientet e spitalit ku i riu shkoi për t’u mjekuar, pasi policë dhe përfaqësues nga Komisariati Nr.1 kishin larguar avokatin mbrojtës së të riut dhe thotë se po i bënin presion për të mos denoncuar me emra dhunuesit.
“Erdha me urgjencë në Spital sepse më njoftuan se ndaj Eneas, të riut që denoncoi dhunën e policisë krah meje në Kuvend, po ushtrohej presion në mënyrë që ai të ndryshonte dëshminë. E paimagjinueshme!
Ky është një skandal i vërtetë.
E rrahin, pastaj e marrin zvarrë nga shtrati ku priste të mjekohej dhe e sjellin këtu në një dhomë duke dhunuar avokatin, duke e larguar për ta detyruar që të ndryshojë dëshminë.
Nuk ka asnjë shans që kjo të ndodhë”, shprehet Shehaj në videon e postuar në rrjetet sociale.
Enea, i riu protestues denoncoi sot krah kryetarit të Partisë Mundësia se personat që e dhunuan në zyrat e shefit të Komisariatit Nr.1 ishin Roki Pepa dhe Ervin Hasrama.
Për ta, Shehaj thekson se duhet të shkarkohen menjëherë nga detyra, ndërsa kërkon gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama si urdhëruesin e policisë që të frikësojë të rinjtë që të mos dalin më në protestë.
“Ata dy banditë që kanë dhunuar këtë djalin e ri, do të dalin përpara drejtësisë. Duhet të shkarkohen menjëherë.
Dhe kryeministri që ka vjedhur shqiptarët që po përdor tani policinë për të trembur, për të trembur protestuesit e dhunuar duhet të largohet. Do largohet me turp”, thekson Shehaj.
DEKLARATA E PLOTE E AGRON SHEHAJT
Jemi tek Urgjenca. Më thirrën me shpejtësi sepse Enea që ishte dhunuar dhe bëri publike një denoncim sepse ishte dhunuar dje në Komisariatin Nr.1 është marrë zvarrë nga shtrati ku ishte në pritje të mjekimeve, nga policia, ja ku i keni, ja policia ku është.
Ky është oficeri gjyqësor, kështu thotë të paktën që do të marrë dëshminë. Këtu është një përfaqësues i Komisariatit Nr.1 ku ai është dhunuar.
Këtu kemi një polic tjetër gjithmonë të Komisariatit Nr.1.
Erdha, u detyrova të vija me shpejtësi sepse kishin larguar me forcë edhe avokatin e djalit që e shoqëronte.
E morën e futën këtu në këtë dhomë dhe tani po bëjnë letrat dhe duan dëshminë e tij.
Po bëjnë presion ndaj tij për t’u tërhequr nga denoncimi që kishte bërë.
Ky është një skandal i vërtetë.
E rrahin, pastaj e marrin zvarrë nga shtrati ku priste të mjekohej dhe e sjellin këtu në një dhomë duke dhunuar avokatin, duke e larguar për ta detyruar që të ndryshojë dëshminë.
Nuk ka asnjë shans që kjo të ndodhë.
Ata dy banditë që kanë dhunuar këtë djalin e ri, shikojeni si e kanë bërë, do të dalin përpara drejtësisë. Duhet të shkarkohen menjëherë.
Dhe kryeministri që ka vjedhur shqiptarët që po përdor tani policinë për të trembur, për të trembur protestuesit e dhunuar duhet të largohet. Do largohet me turp.