Euro “rrokulliset” përsëri  dhe i afrohet shumë afër kufirit të 90 lekëve

Kursi i këmbimit Euro-Lek ka pësuar një tjetër rënie të ndjeshme ditore të mërkurën, duke u afruar më shumë se kurrë më parë pranë pragut të 100 lekëve.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye sot me 90.18 lekë, duke humbur 0.3 pikë brenda një dite. Edhe rënia vjetore e kursit të këmbimit ka arritur një rekord të ri për tre vitet e fundit. Euro paraqitet në rënie me 6.7% krahasuar me të njëjtën ditë të një viti më parë.

Agjentët e tregut valutor shpjegojnë se rënia e Euros në ditët e fundit mund të jetë e lidhur me arkëtimin e pritshëm të kuponave nga njëri prej Eurobondeve i qeverisë shqiptare, i parashikuar më datën 23 nëntor. Sektori bankar është një nga mbajtësit kryesorë të Eurobondeve qeveritare, me një total prej më më shumë se 1 miliard eurosh.

Në momentin që kuponat e Eurobondeve paguhen, ato sjellin një prurje të konsiderueshme valutore ndaj banka të veçanta disa banka mund të shesin valutë dhe të rrisin ofertën në treg, element që mund të shpjegojë rënien e fortë.

Bankierët shpjegojnë se, në disa momente të veçanta, kuponat nga instrumentet e borxhit në valutë mund të ndikojnë në afatin e shkurtër tregun valutor dhe të ushtrojnë presione të mëtejshme për rënien e Euros.

Pozitat e Euros në tregun valutor ngelen të dobëta, për shkak të prurjeve të qëndrueshme nga disa burime kryesore, si turizmi, investimet e huaja direkte, kuponat e investimeve financiare, pa përjashtuar një ndikim të supozuar edhe të flukseve informale, që nuk mund të maten.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë një përmirësim të ndjeshëm të Bilancit të Pagesave edhe në gjysmën e parë të këtij viti. Për 6-mujorin 2026, deficiti i llogarisë korrente pësoi rënie me 41% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deficiti i llogarisë korrente për 6-mujorin ka shënuar njëkohësisht nivelin më të ulët që prej vitit 2018. Ulja e deficitit ka ardhur kryesisht nga rritja e eksporteve të shërbimeve dhe nga remitancat.

Efekt shtesë në bilancin e përgjithshëm duket ka dhënë edhe rritja e fortë e investimeve të huaja direkte. Për të gjithë 6-mujorin 2026, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte arriti në 1.144 miliardë euro, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Efekt shtesë duket se po ushtron edhe suficiti i bollshëm fiskal, që po ul ofertën e Lekut në treg. Për 9-mujorin 2026, buxheti ishte në suficit në vlerën e 70.2 miliardë lekëve, në rritje me 54% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rënia e fortë e të mërkurës me shumë mundësi do të sjellë një ndërhyrje tjetër ditore të Bankës së Shqipërisë për ta mbajtur zhvlerësimin e Euros në amplituda më të kontrolluara, siç po ndodh në mënyrë mjaft intensive në tre vitet e fundit.

Sipas informacionit mbi ndërhyrjet në tregun e parasë, për gjysmën e parë të vitit 2026 Banka e Shqipërisë ka blerë afërsisht 664 milionë euro në tregun e brendshëm valutor, që u shtohen më shumë se dy miliardë eurove të blera në periudhën 2024-2025. Monitor