Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin për ish-kryebashkiakun socialist të Memaliajt, Gjolek Guci, duke e dënuar me 1 vit e 4 muaj heqje lirie për shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tenderat publikë, në bashkëpunim.
Përveç burgut, Guci nuk do të mund të ushtrojë asnjë funksion publik për pesë vitet e ardhshme.
Trupi gjykues, i përbërë nga Flora Hajredinaj, Etleva Deda dhe Engjëllushe Tahiri, kishte caktuar fillimisht një dënim prej dy vitesh burg për ish-kryebashkiakun.
Megjithatë, për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar, masa e dënimit u reduktua me një të tretën, duke u përcaktuar përfundimisht në 16 muaj burg.
Për të njëjtën vepër penale, GJKKO shpalli fajtore edhe Edmonda Harizin, e cila u dënua fillimisht me 1 vit burg. Pas uljes së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar, ajo u dënua përfundimisht me 8 muaj burg. Edhe Harizit iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.