Një i ri është dhunuar në mënyrë barbare nga policia në Tiranë. Sipas denoncimit të bërë publik sot nga vetë i riu Enea, ai është dhunuar nga shefi i komisariatit nr.1 në Tiranë dhe nga shefi i krimeve po në këtë komisariat.
I riu po protestonte kundër qeverisë, kur policia e ka dhunuar rëndë, duke i shkaktuar dëmtime të shumta në trup dhe fytyrë.
Për gazetarët, ai rrëfeu se ishte duke protestuar me një shokun e tij, kur është marrë me një makinë dhe eshte dërguar në komisariatin nr.1 në kryeqytet. Enea tregoi me emër edhe dhunuesit me uniformë, Roki Pepa dhe Ervin Hasrama.
Enea tha me tej se do ta ndjekë çështjen deri në fund.
“Isha duke protestuar të Bulevardi, në momentin kur ishim duke ikur nëpër shtëpi, në bulevardin Dëshmorët e Kombit, vjen një makinë isha me një shok, më fusin brenda dhe na shoqërojnë te komisariati 1. Në fillim më çojnë në paraburgim, vjen njëri më thotë të kërkon shefi sipër. Ishte Roki Pepa, nisi me fjalë banale, bashkë me Ervin Hasramën që më kanë goditur pa pushim. Si për kërcënime, Roki Pepa më tha mos harro se e ke personale dhe këto pllaka kishe për t’i larë me gjak. Nuk e di a është krim të protestosh, por kjo është një gjë që do i shkoj deri në fund, nuk e fal. Në protestë as vetë nuk e kuptova…përse proteston…Më çuan tek zyra e tyre dhe më kanë godit. Ishte vetë Roki Pepa dhe vetë Ervin Hasrama. Pas kësaj dhunë sjell një djalë i thotë të ma kalojë në telefon, kam pasur disa probleme më parë në anën e shëndetësisë me vëllain e vogël dhe tha do t’i rregullojmë”, ka treguar ai.