Dosja e 700 mijë eurove të zhdukura nga Posta e Durrësit kalon në SPAK, dyshime për grup kriminal dhe zyrtarë me imunitet parlamentar

Prokuroria e Durrësit ka shpallur moskompetencën dhe ka dërguar në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dosjen për vjedhjen e rreth 700 mijë eurove në filialin e Postës Shqiptare në Durrës.

Nga veprimet hetimore kanë dalë dyshime për përfshirjen e një grupi të strukturuar kriminal.

Po ashtu në skemë dyshohet se mund të jenë përfshirë edhe ish-zyrtarë që aktualisht gëzojnë imunitet parlamentar.

Në kuadër të hetimeve janë arrestuar më herët ish-drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, ish-shefja e financës, Valbona Duni, si dhe arkëtarja Paola Dana.

Ndërkohë, për tre të dyshuarat, masat e sigurisë janë zbutur më vonë.

Sipas hetimeve, dyshohet se gjatë muajve prill dhe maj 2026, këto shtetase kanë përvetësuar shumën prej 69 milionë lekësh të rinj (mbi 700 mijë euro), e cila ishte planifikuar të arkëtohej nga filiali i Postës Shqiptare Durrës, për degët Shijak dhe Krujë, me qëllim shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave.