Përdorimi i duhanit te gratë në Evropë po bie me ritme shumë më të ngadalta krahasuar me burrat, ndërsa në 15 vende është regjistruar rritje e konsumit. Alarmi vjen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), sipas një raporti të ri për tendencat e përdorimit të duhanit në Evropë dhe Azinë Qendrore.
Sipas analizës së OBSH-së, më shumë se 22% e të rriturve në Rajonin Evropian të organizatës, i cili përfshin 53 vende të Evropës dhe Azisë Qendrore, përdorin duhan. Konsumi i tij shkakton rreth 1.6 milionë vdekje çdo vit në këtë rajon.
Të dhënat tregojnë një hendek të konsiderueshëm mes burrave dhe grave. Në periudhën 2010–2025, përdorimi i duhanit te burrat ra nga 39.3% në 30.3%, një ulje prej 23%. Ndërsa te gratë, rënia ishte vetëm nga 19.6% në 17.3%, ose 12%.
Të dyja gjinitë mbetën larg objektivit të OBSH-së për reduktimin me 30% të përdorimit të duhanit deri në vitin 2025.
Situata në Evropë është veçanërisht shqetësuese edhe në krahasim me pjesën tjetër të botës. Në nivel global, përdorimi i duhanit te gratë është ulur me 42% gjatë të njëjtës periudhë 15-vjeçare. Evropa mbetet i vetmi rajon që nuk ka arritur objektivin e reduktimit me 30%, ndërsa në rajonet e tjera konsumi te gratë ka rënë nën 10%.
Sipas OBSH-së, rreth 63 milionë gra në Rajonin Evropian përdorin ende produkte duhani.
Shqetësimi shtrihet edhe te adoleshentët. Rreth 14% e të rinjve të moshës 13–15 vjeç në rajon përdorin cigare elektronike, një shifër afërsisht dy herë më e lartë se mesatarja globale.
Në 29 vende, vajzat kanë të paktën të njëjtën mundësi si djemtë për të përdorur produkte duhani, ndërsa në 35 vende ato janë po aq të prirura ose më shumë për të përdorur cigare elektronike.
“Vajzat adoleshente tani pinë duhan dhe përdorin cigare elektronike po aq sa djemtë, ose edhe më shumë”, paralajmëroi Kristina Mauer-Stender, këshilltare rajonale e OBSH-së për kontrollin e duhanit.
OBSH u ka bërë thirrje vendeve të rrisin taksat mbi duhanin në të paktën 75% të çmimit të shitjes me pakicë, të forcojnë ndalimin e pirjes së duhanit në ambiente publike, të ndalojnë reklamimin e produkteve të duhanit dhe të vendosin rregulla më të forta për cigaret elektronike.
Ndërkohë, Komisioni Evropian po përgatit një rishikim të gjerë të legjislacionit për duhanin, i cili pritet të përfshijë edhe produktet e reja të nikotinës, si cigaret elektronike dhe qeskat e nikotinës.
Një plan i veçantë për rritjen e taksave mbi duhanin ka mbetur i bllokuar, ndërsa organizatat monitoruese kanë ngritur shqetësime për ndikimin e lobimit të industrisë së duhanit në institucionet evropiane. Sipas vlerësimeve, industria shpenzon nga 8 deri në 10 milionë euro çdo vit për lobim në institucionet e Bashkimit Evropian.