Protesta e 171-të kombëtare, e zhvilluar sot përpara godinës së Kryeministrisë, është shoqëruar me momente tensioni dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Situata është tensionuar pasi qytetarët kanë kërkuar të zhvendosin tubimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, por policia ka ndërhyrë duke bllokuar lëvizjen e tyre dhe duke i shtyrë për të mos lejuar vijimin e protestës në këtë aks.
Momente të tjera përplasjesh janë regjistruar gjatë tentativës së policisë për të shoqëruar disa gra. Në këtë moment, një grup protestuesish ka ndërhyrë për t’i mbrojtur ato, duke kundërshtuar veprimet e efektivëve.
Gjatë tubimit, qytetarët kanë artikuluar edhe thirrje kundër qeverisë, duke brohoritur në kor sloganin “Poshtë diktatura”.
Rezistenca e protestuesve ka bërë që gratë të mos shoqërohen nga policia, ndërsa disa vajza janë marrë nga efektivët dhe janë dërguar në komisariat.