Berisha bën thirrje për protestë më 28 Nëntor: Të nderojmë flamurin kombëtar!

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka bërë thirrje për një protestë masive më 28 Nëntor, duke e cilësuar si një akt nderimi për flamurin kombëtar dhe sakrificën e të rënëve për Shqipërinë.

Gjatë fjalës së tij, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kryedemokrati tha se nuk ka nder më të madh për flamurin kombëtar se sa një protestë e fuqishme, teksa u bëri thirrje qytetarëve dhe bizneseve që ti bashkohen.

“28 Nëntori, dita e përkushtimit tonë ndaj flamurit, himnit të tij dhe të ardhmes të Shqipërisë”- tha ndër të tjera Berisha.

Berisha: Është një motiv i madh për qytetarët të derdhen në rrugët dhe sheshet e Shqipërisë me datën 28 Nëntor.

Nuk ka nder më të madh për flamurin kombëtar të këtij vendi se sa një protestë e fuqishme e paparë ndonjëherë nga shqiptarët ndaj këtij regjimi, ndaj këtij Padrinoje.

Duhet të nderojmë flamurin, duhet të nderohen me 28 Nëntor të rënët e kombit të të gjitha kohërave, sakrifica e tyre.

Ndaj dhe ftoj të gjitha bizneset nga mbarë vendi të shndërrojmë 28 Nëntorin në ditën e nderimit më të madh të flamurit tonë.

Me një regjim si ky, pasiguria totale i pret shqiptarët.

Urdhëro ç’bën. Kur ky me aktet që janë, si të thuash, të sanksionuara në të gjitha ligjet, procedura e tij vepron në këtë mënyrë, imagjinoni.

Por ka dhe një motiv të madh, përveç kësaj, barbaria që ai tregoi ndaj studentëve nuk i falet kurrë.

Ato këmbë të thyera, ato krahë, ato kafka të çara, janë plagë për çdo shqiptar, sepse ato kanë qenë akte barbare, të një njeriu për karrigen e tij që ka pasur motiv vetëm urrejtjen ndaj rinisë shqiptare, ndaj të ardhmes së këtij vendi.

Edhe ky është një motiv madhor.

28 Nëntori, dita e përkushtimit tonë ndaj flamurit, himnit të tij dhe të ardhmes të Shqipërisë.