Gjykata e Lartë në Beograd ka lëshuar urdhër-arrest për Milan Radoiçiçin, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, duke vendosur ndaj tij edhe masën e sigurisë “arrest me burg”. Shkak për këtë vendim është bërë mosparaqitja e tij në polici më 15 nëntor, në shkelje të masës së sigurisë që e detyronte të paraqitej periodikisht pranë autoriteteve.
Lajmi është konfirmuar për median “Insajder” nga Gjykata e Lartë në Beograd. Radoiçiç duhej të paraqitej në komisariatin e Savski Venacit për të dëshmuar se ndodhej në adresën e banimit të deklaruar.
Sipas raportimeve të BIRN, ai kishte respektuar deri më tani detyrimin për paraqitje në polici, duke u paraqitur çdo datë 1 dhe 15 të muajit. Paraqitja e fundit ishte regjistruar më 1 nëntor, ndërsa policia kishte informuar gjykatën për këtë përmes një njoftimi zyrtar të datës 4 nëntor.
Më herët, Gjykata e Lartë kishte bërë të ditur se po mbikëqyrte zbatimin e masave të sigurisë ndaj Radoiçiçit dhe se po bashkëpunonte me institucionet përkatëse për ndërmarrjen e hapave ligjorë në rast të shkeljeve.
Ndërkohë, pasaporta e ish-zyrtarit të Listës Serbe vazhdon të jetë e sekuestruar pranë Gjykatës së Lartë në Beograd, si pjesë e masave të vendosura ndaj tij në kuadër të procedurës penale.
Radoiçiç është nën hetim për përfshirjen e dyshuar në sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës. Ngjarja e rëndë përfundoi me vrasjen e një polici të Kosovës dhe tre pjesëtarëve të grupit të armatosur serb.
Lëshimi i urdhër-arrestit shënon një zhvillim të ri në procedurën gjyqësore ndaj Radoiçiçit, i cili deri më tani ishte nën masa sigurie që nuk përfshinin paraburgimin.