Zllatan Ellek është zgjedhur njëzëri kryetar i ri i Listës Serbe në Kosovë. Ellek është ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut.
Ai u zgjodh gjatë një votimi të hapur në seancën e Kuvendit të Listës Serbe të mbajtur të martën në Mitrovicën e Veriut, ku Lista Serbe zgjodhi edhe kryesinë e re. Lider i Listës Serbe deri më tani ishte Goran Rakiq.
Ndërkaq, nënkryetarë të rinj të Listës Serbe janë zgjedhur Dragisha Milloviq, zëvendësdrejtor i spitalit në Mitrovicën e Veriut, Igor Zaporozhac, kryetar i Komunës paralele serbe në Mitrovicën e Veriut, Tanja Vujoviq, dekane e Fakultetit Ekonomik, Dalibor Jevtiq, kryetar i Komunës së Shtërpces, dhe Dragana Antonijeviq, ish-deputete në Kuvendin e Kosovës dhe drejtoreshë e Qendrës së Studentëve në Mitrovicën e Veriut.
Kjo parti njoftoi se Ellek gjatë takimit theksoi se në periudhën e ardhshme Lista Serbe do të jetë “strumbullari rreth të cilit do të mblidhet populli serb në Kosovë”, dhe se “të gjitha vendimet e rëndësishme politike do të merren gjithmonë në koordinim me Beogradin zyrtar dhe në interesin e mbarë popullit serb”.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.
Këto ndryshime në lidershipin e partisë po bëhen pas ngjarjeve në Banjskë afër Zveçanit në veri të Kosovës më 24 shtator, kur një grup i armatosur serb sulmoi policinë e Kosovës dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Pesë ditë më vonë, nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, mori përgjegjësinë për këtë sulm dhe dha dorëheqjen nga ajo pozitë. Ai është duke u hetuar, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi./REL