OSBE-ODIHR ka përgatitur një raport për fushatën në vend në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11majit.
Raporti thekson se zgjedhjet parlamentare 2025 po zhvillohen në kontekstin e ndryshimeve të fundit në sistemin zgjedhor, ndërsa veçohet procesi i votimit të shqiptarëve jashtë Shqipërisë, duke i dhënë këtij procesi një rëndësi të veçantë.
Sipas vlerësimit të OSBE-ODIHR, këto zgjedhje përfaqësojnë një tjetër moment kyç për forcimin e institucioneve demokratike dhe përparimin e proceseve demokratike në Shqipëri, sidomos në kuadër të negociatave të saj të vazhdueshme për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Raporti paraprak i OSBE-ODIHR ka monitoruar periudhën 1-21 prill 2025.
Në gjetje përmendet fakti se klima politike mbetet e tensionuar, me ndasi të thella dhe mungesë besimi mes dy forcave kryesore politike në vend.
“Klima politike karakterizohet nga polarizim i thellë, përçarje brenda partive, raste të vazhdueshme korrupsioni të profilit të lartë dhe shqetësime në rritje mbi qeverisjen demokratike dhe lirinë e shprehjes. Në të njëjtën kohë, progresi në negociatat per në BE dhe zbatimi i parë i votimit jashtë vendit kanë qenë temat kryesore në diskursin publik.
Peizazhi politik mbetet i dominuar nga dy partitë kryesore: Partia Socialiste (PS) e Kryeministrit Edi Rama, e cila ka fituar tre zgjedhje parlamentare radhazi që nga viti 2013, dhe Partia Demokratike (PD) e opozitës, e udhëhequr aktualisht nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Megjithatë, PD ka përjetuar konflikte të brendshme të rëndësishme që kanë rezultuar në krijimin e një partie të re të ndarë, Demokratët Euroatlantikë.”, thuhet ndër të tjera në raport.
Në raport bëhet me dije se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë 94 ankesa për shkelje të lidhura me fushatën, përfshirë përdorimin e aseteve publike dhe presionin ndaj nëpunësve civilë.
“Janë hapur hetime administrative për 70 raste, dhe në tre prej tyre janë propozuar gjoba. 96 monitorues janë angazhuar për të vëzhguar zbatimin e rregullave në 12 qarqe, duke raportuar mbi 1,160 raste që nga janari deri në prill. Ndër shqetësimet kryesore janë ndikimi i rrjeteve të ashtuquajtura “patronazhistë”, presioni ndaj punonjësve të administratës publike dhe përdorimi politik i burimeve shtetërore. Edhe pse ligji ndalon përdorimin e institucioneve publike për qëllime elektorale, praktika të tilla vazhdojnë të raportohen”, konstaton ODIHR.