Zbardhet vrasja e biznesmenit Bujar Nasufi, porositës dy vëllezërit Xhani, të përfshirë në një tjetër krim në Shkodër

Është zbardhur vrasja e biznesmenit Bujar Nasufi, ngjarje kjo e ndodhur në janar të këtij viti, në rrugën Irfan Tomini në Tiranë. Dy vëllezërit Voltan dhe Jugert Xhani dyshohet se janë porositës e krimit, ndërsa si shkak janë konfliktet për një pronë.

Mësohet se një truall toke, që dikur i përkiste babait të viktimës dhe ishte shitur tek familja Xhani, vijonte të figuronte në emër të Nasufit.

Në momentin e shpronësimit për ndërtimin e Unazës së Madhe, kompensimi financiar prej rreth 30 mijë euro përfundoi në llogarinë e familjes Nasufi, duke sjellë edhe përplasje mes dy familjeve në zonën e Selitës në Tiranë.

Porositësit janë emra të njohur për policinë, pasi dyshohet se janë të përfshirë në një ngjarje tjetër kriminale, vrasjen e Elis Roshkodolit në qytetin e Shkodrës.

Aktualisht dy vëllezërit Xhani ndodhen në burg pasi u arrestuar gjatë një operacioni të RENEA-s në Gjirin e Lalzit nën shoqërinë e personazheve të botës së krimit. 

Biznesmeni Bujar Nasufi u ekzekutua sapo doli nga mobilieria e tij në rrugën “Irfan Tomini”. Autori, i cili ishte i maskuar si shpërndarës picash, e ruajti dhe e ndoqi deri në hyrje të banesës, teksa priti që bashkëshortja e tij të zbriste nga makina.

Më pas ai e qëlloi nga një distancë shumë e afërt, duke e lënë të vdekur në vend. 56 vjeçari njihej si një person i qetë dhe pa asnjë precedent penal.