Vrau me thikë motrën pas një konflikti, Prokuroria e Tiranës zbut akuzën ndaj 41 vjeçares

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka lehtësuar akuzën për Marsela Pushanin, mësuesen që vrau me thikë motrën e saj Amanda Pushani në shtator të vitit 2023.

Në mbyllje të hetimit, prokuroria vlerësoi se Pushani nuk duhet të akuzohet për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjarë”, por për “vrasje në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme”.

Me lehtësimin e akuzës, 41 vjeçarja rrezikon deri në 7 vite burg.

Ngjarja që tronditi opinionin publik ndodhi më shumë se një vit më parë, ndodhi në banesën e familjes Pushani në zonën mes Rrugës së Kavajës e “Myslym Shyrit” në kryeqytet, ku banonin dy motrat dhe nëna e tyre.

Fillimisht familjarët e raportuan në polici si vdekje natyrale, por pas autopsisë u zbulua se ajo kishte vdekur për shkak të goditjeve me thikë.

Sipas dëshmisë së 41-vjeçares, viktima kishte shkuar e dehur në shtëpi në momentin që ndodhi krimi dhe kishte disa shishe birrë në dorë.

41-vjeçarja deklaroi pas krimit se ato po debatonin pasi po i kërkonte llogari për gjendjen e saj duke qenë se kishin rënë dakord që s’do pinte më.

Sipas deklarimeve të të pandehurës, pasi janë shtyrë me duar, motra e saj e ka kërcënuar me një thikë buke, që në përpjekjen për t’ia hequr nga duart, i ka shkaktuar një plagë në bark, duke i marrë jetën.