Vrasja e policit në Fier/ FNSH dhe RENEA “zbarkojnë” në fshatin ku jeton autori, kontrolle edhe me dron për të kapur 23 vjeçarin

Policia e Fierit, FNSH dhe RENEA kanë zbarkuar këtë pasdite në fshatin Sulaj të Fierit, ku banon Azgan Mërnica, 23 vjeçari, i cili vrau me plumb në kokë efektivin e “Shqiponjave” Novruz Cenalia.

Raportohet se policia ka ngritur pika të shumta kontrolli, e po ashtu po përdoren edhe dronë, për gjetjen e autorit, i cili pas krimit të rëndë u arratis. Ndërkohë mësohet se kontrolle janë kryer në banesën e autorit, si dhe janë shoqëruar në komisariat prindërit e tij, të cilët po merren në pyetje.

Po ashtu është sekuestruar edhe makina e autorit tip “AUDI”, të cilën i riu e braktisi dhe më pas u largua në drejtim të paditur.

Policia e Shtetit njoftoi më herët se 30 mijë euro janë vendosur si shpërblim për këdo që ka informacione të vlefshme që ndihmojnë në kapjen e autorit.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes autorit dhe viktimës, i cili ishte duke shkuar në punë, por jeta e tij u ndërpre nga një plumb, që e la të vdekur në vend.  

Efektivi banonte rreth 500 metra nga vendi i ngjarjes dhe ka qenë duke shkuar me makinë në punë, kur është ndeshur në rrugë me autorin.

Viktima dyshohet se e ka parakaluar të riun dhe ky i fundit e qëlloi me pistoletë në kokë, duke e lënë të vdekur në vend. Efektivi Novruz Cenalia kishte rreth 3 vjet që ishte pjesë e policisë ndërsa para një muaji ishte martuar.

Ndërkohë babai i 28-vjeçarit, me profesion edhe efektiv policie, mësohet se në kushtet e vetëmbrojtjes kishte vrarë në 1997 fqinjin e tij në Has. Që prej asaj kohe, familja Cenalia ishte larguar për t’u vendosur në Fier, dyshohet për shkak të gjakmarrjes.