Vrasja e ish-policit Fatos Cenaj në Itali/ Hetuesit: Krimi ishte i planifikuar, hakmarrja nga Shqipëria

Autoritetet italiane kanë arritur në përfundime të rëndësishme lidhur me vrasjen e ish-policit shqiptar, Fatos Cenaj, i cili u qëllua për vdekje më 8 qershor në provincën e Padovës.

Sipas prokurores Maria d’Arpa, e cila po drejton hetimet, vrasja e 58-vjeçarit është kryer për motive hakmarrjeje dhe ka qenë e planifikuar. Një person ndodhet tashmë nën hetim për veprën penale “vrasje me paramendim”.

Pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e mbledhura nga vendngjarja mbështesin skenarin e një ekzekutimi të mirëorganizuar. Pista hetimore ka çuar edhe në Shqipëri, ku dyshohet se e ka origjinën konflikti që mund të ketë çuar në vrasjen e tij.

Hetuesit italianë nuk kanë gjetur asnjë provë për kërcënime apo përplasje gjatë qëndrimit të Cenajt në Itali, çka forcon dyshimet se shkaku i ngjarjes lidhet me të kaluarën e tij në Shqipëri. Për këtë arsye, është intensifikuar bashkëpunimi mes autoriteteve italiane dhe atyre shqiptare.

Janë marrë në pyetje persona të afërm, banorë të zonës dhe të njohur të viktimës, por ende nuk është zbardhur plotësisht motivi konkret dhe zinxhiri i përfshirjes në vrasje.

Vrasja e shqiptarit
Mëngjesin e 8 qershorit, Fatos Cenaj po shkonte drejt vendit të punës në Fontaniva, ku jetonte me bashkëshorten dhe vajzën. Fillimisht u dyshua për një incident aksidental, por mjekët në spital zbuluan një plagë plumbi në kokë. Pas tre ditësh në gjendje kritike, ai ndërroi jetë.

Cenaj kishte punuar më parë si punonjës burgu në Shqipëri dhe njihej si një qytetar i qetë dhe i përkushtuar. Pas vrasjes, familja e tij është larguar nga banesa për shkak të frikës dhe pasigurisë. Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbulojnë të gjithë skemën e krimit.