Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka reaguar sot në lidhje me vrasjen e 40 vjeçares shqiptare Enkelejda Danaj, nga bashkëshorti i saj Eduard Danaj.
Ky i fundit e qëlloi me thikë në bark dhe e la në mes të rrugës ndërsa kanë qenë kalimtar të rastit që e kanë gjetur shqiptaren pa shenja jete.
Kryeministri grek tha se po bëjnë një fushatë informuese që gratë t’u drejtohen autoriteteve për të kërkuar ndihmë kur ato dhunohen.
Sipas informacioneve, 40-vjeçarja shqiptare Enkelejda Danaj kishte bërë dy denoncime për dhunë në familje ndaj bashkëshortit të saj.
“Po bëjmë një përpjekje të madhe nga njëra anë duke trajnuar policinë për të menaxhuar siç duhet këto incidente, po bëjmë një fushatë informuese në mënyrë që gratë të dinë se mund t’u drejtohen autoriteteve për mbrojtje.
Këto politika nuk do ta zgjidhin problemin por do ta reduktojnë në mënyrë drastike. U bëj thirrje grave që të përdorin edhe strukturat pritëse, sepse kur nuk ka strehim të sigurt, gjërat mund të jenë potencialisht të rrezikshme”- ka thënë mes të tjerash Mitsotakis.