Përplasi për vdekje 7-vjeçarin në Elbasan, shoqërohet në polici producenti Petri Bozo

Detaje të reja janë mësuar nga aksidenti tragjik i regjistruar mëngjesin e sotëm në Mengel të Elbasanit, ku një makinë përplasi për vdekje një 7-vjeçar.

Mësohet se mjeti që përplasi të miturin drejtohej nga regjisori dhe producenti Petri Bozo, i cili është shoqëruar në komisariat. Sipas informacioneve paraprake, i mituri i ka ikur nga dora të ëmës që po e çonte në shkollë dhe në këtë moment është përplasur nga mjeti që drejtohej nga regjisori Bozo.

Ndërkohë grupi hetimor në vendngjarje po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

“Rreth orës 08:00, në aksin rrugor “Elbasan-Librazhd”, automjeti me drejtues shtetasin P. B., 61 vjeç, ka përplasur një fëmijë rreth 7 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme”, njoftoi sot policia.

Kujtojmë se ngjarja e sotme vjen pas aksidentit tragjik të regjistruar pak javë më parë në Kënetë të Durrësit, ku një makinë përplasi për vdekje dy të mitur, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur.