Një sasi tritoli ka shpërthyer në pjesën e jashtme të një marketi në rrugën “Ramazan Gaxherri”, Shkozë.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne, ndërsa janë regjistruar vetëm dëme materiale.
Tritoli dyshohet të jetë vendosur prej një konflikti të ndodhur më parë, ndërsa pronarët nuk deklarojnë asgjë në lidhje me këtë ngjarje.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë rreth zonës, ka rezultuar se autor i kësaj ngjarjeje është një person ende i paidentifikuar, i cili ka qenë i maskuar.
Ai është afruar me shpejtësi pranë biznesit, ka lënë një sasi të vogël lënde plasëse pranë derës dhe më pas është larguar menjëherë.
“Rreth orës 04:15, në rrugën “Ramazan Gaxheri”, në pjesën e jashtme të një marketi, dyshohet se te motori i kondicionerit, ka shpërthyer një sasi lënde e dyshuar plasëse.Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit“, njofton policia.