Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka thirrur për të mërkurën, 11 shkurt, seancën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Vendimi i presidentes vjen një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.10 për qind të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.19 për qind të votave, apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24 për qind, apo 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.50 për qind, apo gjashtë ulëse.
Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, dhe një ulëse Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Procesi i certifikimit u zvarrit për shkak të nevojës për rinumërim të të gjitha votave të këtij procesi zgjedhor, meqë pati dyshime për manipulime të votave të kandidatëve për deputetë.
Dhjetëra persona janë dërguar në paraburgim, qindra të tjerë janë intervistuar nën dyshimet për manipulim të votave, dhe proceset hetimore e gjyqësore pritet të vazhdojnë.
Çfarë ndodh në seancën konstituive?
Rregullorja përcakton se duhet të ketë përgatitje për seancën konstituive dhe kjo përgjegjësi bie mbi kryetarin e legjislaturës paraprake, në këtë rast është në përgjegjësinë e Dimal Bashës.
Ai duhet që jo më vonë se pesë ditë para mbajtjes së seancës konstituive, të zhvillojë një takim të përbashkët me krerët e subjekteve politike parlamentare, për të përgatitur rendin e ditës dhe për të caktuar vendet e deputetëve në Kuvendin e ri.
Rregullorja përcakton se seanca konstituive ka katër pika të rendit të ditës: formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve, betimin e deputetëve, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe atë të nënkryetarëve.
Lidhur me seancën konstituive, vitin e kaluar pati shumë paqartësi dhe Gjykata Kushtetuese përmes disa aktgjykimeve përcaktoi se kjo seancë duhet të përmbyllet brenda 30 ditësh, dhe konsiderohet e përmbyllur vetëm me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve – tre nga partitë kryesore shqiptare dhe dy nga komunitetet joshumicë, një serb dhe një nga komunitetet serbe.
Si për kryetarin, ashtu edhe për nënkryetarët kërkohen 61 vota nga Kuvendi me 120 deputetë.
Në bazë të aktgjykimeve, një person mund të propozohet vetëm deri në tri herë për postin e kryetarit dhe nënkryetarëve.
Megjithatë, për çështjen e nënkryetarit serb, në një aktgjykim të publikuar ditë më parë, Kushtetuesja gjeti se janë bërë shkelje kur është zgjedhur Nenad Rashiqi nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, përmes shortit në legjislaturën e kaluar.
Ai u propozua në këtë mënyrë pasi të propozuarit e Listës Serbe s’arritën t’i siguronin 61 vota.
Kushtetuesja vendosi se të drejtën e propozimit për nënkryetar e kanë shumica e deputetëve të komunitetit serb, që edhe në këtë legjislaturë janë nëntë deputetët e Listës Serbe. Vendimi u kritikua nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit dhe mbetet e paqartë se si do të veprojnë ata për çështjen e nënkryetarit serb gjatë legjislaturës së re.
Me t’u përmbyllur çështja e konstitutimit, hapet rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Presidentja duhet të mandatojë për kryeministër dikë nga partia fituese, në këtë rast LVV-ja.
I mandatuari, më pas, i ka 15 ditë kohë që të paraqesë para Kuvendit përbërjen e re të ekzekutivit dhe të kërkojë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve.
Për dallim nga hera e kaluar, Kurti pritet të mos ketë vështirësi për t’i bërë numrat për Qeverinë, pasi vetëm partia e tij ka fituar 57 ulëse në Kuvend.