Si po e ndryshon betoni fytyrën e Durrësit

Në kalatën lindore të Portit të Durrësit, ndërtimi vazhdon me ritme intensive.

Pallatet 8-11 katëshe me arkitekturë gati identike janë në garë me njëra- tjetrën. Madje, godinat e reja po ngrihen edhe në pjesën detare, jashtë murit lindor të portit më të madh të vendit.

Pavarësisht defekteve të shfaqura në ndërtim, projekti “Durrës Yachts & Marina” po nxiton që ta ndryshojë edhe më shumë peizazhin bregdetar të Durrësit.

“Nga plazhi i Durrësit, qyteti nuk duket më,” thotë një nga inxhinierët e projektit.

“Ndërtimet e shumta të projektit Durrës Marina, që po vijojnë ngrihen brenda territorit portual, do ta bllokojnë edhe më tej pamjen e qytetit antik,” shtoi ai.

Projekti kontrovers me statusin e investimit strategjik të sipërmarrësit nga Emiratet, Mohamed Alabbar synon që të prodhojë një lagje të re brenda portit të Durrësit.

Sipas planifikuesit urban, Artan Kacani, ky projekt do të shkaktojë një ndarje të qytetit të Durrësit me plazhin turistik.

Qyteti i Durrësit, i cili mori formën e tij moderne në periudhën mes dy luftrave botërore, ka ndryshuar me shpejtësi gjatë tre dekadave të fundit për shkak të ndërtimeve masive në qytet dhe përgjatë vijës bregdetare.

Shpeshherë, ndërtimet nuk kanë qenë në harmoni me të shkuarën e qytetit dhe trashëgiminë e tij kulturore.

Në fillim të viteve 1960, aty ku ishte kantieri detar që u shkatërrua kohët e fundit, arkeologu Vangjel Toçi zbuloi çekanin e parë prej guri, objekti që përcaktoi edhe moshën gati 3.000-vjeçare të qytetit të Durrësit.

Disa nga objektet më të rëndësishme që u ngritën pas tërmetit të vitit 1926, kanë ndryshuar destinacion ose janë shkatërruar në fillim të këtij shekulli, duke fshirë njëkohësisht kujtesën e kësaj periudhe.

Mes tyre është edhe godina e Shoqërisë Anonime të Letrës dhe Shkrepseve, STAMLES, e themeluar në vitin 1924 dhe e transformuar gjatë regjimit komunist.

Artan Hoxha, një nga pasardhësit e familjeve që e krijuan shoqërinë me afro 300 aksionerë, mendon se Stamles ishte një shoqëri ekselente.

“Sot e kësaj dite në Shqipëri nuk kemi ende një bashkëorganizim të sipërmarrësve të sotëm, në një shoqëri aksionere me atë perfeksion raportesh mirëkuptimi siç kemi patur STAMLES-in në Durrës,” tha ai.

Nga godina e dikurshme nuk ka mbetur asnjë shenjë, ndërkohë që një basorelief që ruhet prej një arkitekti ende nuk edhe vendosur si shenjë kujtese në muret e godinës së re.

Lagjja 11 në qendër të Durrësit, dikur bërthama e pandryshueshme e qytetit ilir, romak, bizantin dhe venecian, përfaqëson një trashëgimi të pazëvendësueshme për qytetin e Durrësit.

Bukuroshja e Durrësit, një nga mozaikët më të famshëm të antikitetit; ndërtimet termale të periudhës së vonë romake; pallati aristokratik; si dhe Forumi Rrethor, janë shembuj monumentesh unike për rajonin dhe periudhat kronologjike që përfaqesojne.  Kjo lagje e Durrësit modern, bërthamë e pandryshueshme e historisë se tij urbane, duhej të ishte pasqyra e kujtesës historike të qytetit.

“Por sot ajo është kthyer në shembullin më të dhimbshëm të shkatërrimit urban,” tha për BIRN arkeologia Brikena Shkodra.

Ndërtime të pakontrolluara, shpesh përtej kritereve të lejuara nga ligji për trashëgiminë kulturore, kanë zhdukur çdo lidhje me kujtesën historike dhe madje edhe me konceptin e hapësirës moderne urbane – tha Shkodra, duke shtuar se muret e banesave ngjiten pa kriter, rrugicat tradicionale janë zhdukur, ndërsa zhvillimi kaotik ka fshirë identitetin e lagjes.

Një foto nga katet e sipërme të një pallati të ngritur në këtë lagje, dëshmon se nga një thesar arkeologjik unik, lagjja është shndërruar në një plagë të hapur betoni, që tregon se si mungesa e vizionit urbanistik dhe neglizhenca institucionale po shkatërrojnë kujtesën historike.