Librat e përdorur po ‘zhduken’ nga tregu, a është shkaku inteligjenca artificiale?

Diçka misterioze po ndodh në tregun e librave të përdorur. Gjatë muajve të fundit, libraritë e pavarura kanë vërejtur një model të pazakontë blerjesh, ku qindra mijëra libra po porositen në sasi të mëdha dhe dërgohen drejt magazinave të largëta.

Stuart Manley, nga libraria Barter Books në Northumberland, thotë se zakonisht shet 2.000-3.000 libra në javë. Por së fundmi, një porosi e vetme nga një kompani kanadeze ishte e barabartë me shitjet që ai pret të realizojë në një javë.

“Pas 30 vitesh në tregun e librave të përdorur, nuk kam parë kurrë diçka të tillë”, thotë Manley.

Edhe librashitës të tjerë në vende të ndryshme të botës kanë raportuar porosi të ngjashme në përmasa të mëdha. Ata nuk e dinë me siguri se ku përfundojnë librat, por dyshojnë se mund të mos jenë blerë për lexues jashtë vendit, por për një “konsumator” tjetër të etur për informacion: inteligjencën artificiale.

Librat si burim për trajnimin e AI-së

Rritja e shitjeve të librave të përdorur lidhet me një vendim gjyqësor në SHBA. Në vitin 2025, një gjykatës vendosi se përdorimi i librave të blerë për të trajnuar sisteme të AI-së nuk përbënte shkelje të ligjit amerikan për të drejtat e autorit.

Vendimi erdhi pas një padie të ngritur nga tre autorë kundër kompanisë Anthropic. Gjykatësi William Alsup e konsideroi përdorimin e librave nga kompania si “jashtëzakonisht transformues” dhe, për rrjedhojë, të lejuar sipas ligjit amerikan.

Dokumentet gjyqësore treguan gjithashtu se disa libra po shkatërroheshin gjatë procesit të trajnimit të chatbot-it Claude. Anthropic tha se modelet e saj trajnohen përmes një kombinimi të të dhënave publike, grupeve të të dhënave të blera dhe të dhënave të krijuara nga vetë kompania.

Megjithatë, ideja se librat mund të blihen vetëm për t’u shkatërruar ka shkaktuar shqetësim te librashitësit.

“Skanimi shkatërrues”

Dokumentet e çështjes Anthropic treguan se projekti për përpunimin e librave të vjetër quhej brenda kompanisë “Project Panama”. Sipas dokumenteve, synimi ishte “skanimi shkatërrues i të gjithë librave në botë”.

Skanimi shkatërrues nënkupton dërgimin e librave në qendra ku digjitalizohen në shkallë industriale. Në këtë proces, kapaku dhe lidhja e librit hiqen në mënyrë që faqet të skanohen me shpejtësi, ndërsa pjesët e mbetura riciklohen.

Porositë përfshijnë libra nga fusha shumë të ndryshme, nga tekste të rralla në latinisht deri te romanet western. Ekspertët thonë se kjo larmi mund të jetë një tjetër tregues se librat po përdoren për trajnimin e modeleve të mëdha gjuhësore, pasi tekstet e rralla mund t’u ofrojnë modeleve materiale të reja.

Shqetësime për etikën

Për librashitësit, situata krijon një dilemë. Ata shqetësohen që libra të rrallë ose me vlerë historike mund të shkatërrohen.

Derek Walker, pronar i librarisë McNaughtan’s në Edinburg, thotë se një libër akademik i botuar në vetëm 100 kopje mund të mos përbëjë humbje të madhe nëse një kopje shkatërrohet, sidomos kur shumica ndodhen në biblioteka.

Por, shton ai, situata është krejt ndryshe për një libër që është i vetmi ekzemplar i njohur i një botimi të shekullit XVIII.

Ndërkohë, Manley e sheh edhe anën pozitive të rritjes së kërkesës. Sipas tij, bota nuk ka më nevojë për miliona kopje të librave shumë të zakonshëm, ndërsa disa tituj që kanë qëndruar pa u shitur për vite me radhë po gjejnë tani blerës.

“Kam pasur libra të reklamuar online për 20 vjet, të cilët nuk janë shitur kurrë deri tani”, thotë ai.