Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur sot para Parlamentit Europian. Ajo nisi fjalën e saj me shprehjen “Liri, Pavarësi, Demokraci” të ish-presidentit Ibrahim Rugova. Presidentja u shpreh se Kosova është vendi më pro-europian në rajon por “shtëpia nuk mbahet pa miq”.
Ajo u shpreh se Kosova është Europë, sepse vlerat e BE-së janë pjesë themelore e shoqërisë së saj.
“Sot jam këtu për të folur për shtetin e pavarur të Kosovës, por edhe për t’ju thënë faleminderit.Jam këtu për ta shprehur mbështetjen ndaj jush dhe në këtë moment kritik për t’ju bërë thirrje që të qëndroni palëkundur pranë nesh”, u shpreh ajo.
Osmani theksoi se Kosova është Europë dhe të jesh kosovar do të thotë të jesh europian. “Në mungesë të himnit shtetëror, Kosova jehoi me himnin europian”, tha ajo.
Ky fjalim i presidentes së Kosovës në Parlamentin Europian vjen pas lajmeve se SHBA dhe BE do t’i vendosin sanksione vendit, për shkak se sipas tyre nuk po zgjidh tensionet në komunat serbe në veri të tij.