Vetëvrasja e policit brenda Komisariatit të Durrësit, miqtë e tij të tronditur: Ishte shumë i ndershëm, me sedër

Një ngjarje e rëndë u regjistrua dje në policinë e Durrësit, ku efektivi Arben Pjeçi i dha fund jetës në zyrën e tij. Ngjarja që tronditi Komisariatin e Durrësit ndodhi për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike të 57-vjeçarit, i cili u vetëvra me armën e shërbimit.

Pjeçi ishte dënuar për “Plagosje të lehtë”, gjë që e kushtëzonte që në të ardhmen të ndërpreriste marrëdhënien e punës me Policinë e Shtetit. Kjo ngjarje ka ndikuar negativisht të Pjeçi, që kishte një karrierë të gjatë në polici.

Ndërkohë miqtë e tij janë shprehur të tronditur nga ngjarja teksa kanë folur për mediat.

“Nuk mund të shprehem se e kam pasur shumë mik, shumë mik! E merrja në punë se kisha makinën unë. Unë kam punuar para 6 vitesh me të. Më pas takoheshim këtu çdo natë pinim kafen bashkë. E kam pasur shumë mik e vlla”- tha një prej tyre.

“Ishte shumë shumë i ndershëm, jashtë mase. As familja nuk kishte kuptuar gjë. Ikte në punë normalisht”, u shpreh një tjetër.

Edhe komshinjtë janë shprehur të tronditur nga gjendja e rëndë.

“Unë jam komshiu i tij. Ishte çun me sedër, me kulturë, me shkollë, i paparë, më vjen shumë keq. U çuditëm si ndodhi”, tha një fqinj i tij.