Deputeti Erald Kapri ka ngritur në Kuvend shqetësimin e disa familjeve të fshatit Kodër Zgjupë, ku shtëpitë e tyre janë përmbytur si pasojë e ndërtimit të hidrocentralit në Banjë.
Kapri tha se gjysma e banorëve të fshatit kanë prej 6 vitesh që ndodhen rrugëve, pasi shteti nuk ka marrë asnjë masë për ta.
“Kjo është një qeveri që u ka hipur në kurriz qytetarëve” shtoi ai, duke thënë se këta banorë nuk marrin as bonus qiraje, ndërsa janë shprehur se nuk dinë ku të shkojnë.
“Një grup qytetarësh erdhën na takuan sot në selinë tonë nga fshati Kodër Zgjupë në zonën e Gramshit.
Ata kishin një shqetësim që vlen ta ngre në Parlament. Fshati i tyre është përmbytur, pothuajse shaktërruar nga ndërtimi i hidrocentralit të Banjës.
Gjysma e fshatit është trajtuar me apartamente në Gramsh, ndërsa gjysma tjetër ka mbi 6 vite që janë lënë rrugëve.
Ishin të paktën 18 familje. Kishim token, shtëpinë në fshat, u bë hidrocentrali na i morëm, kemi 6 vjet rrugëve. Nuk dinë ku të shkojmë. Është vendimi për të na strehuar sepse jemi dëmtuar për shkak të një shpronësimi, por jemi rrugëve. Kjo është një qeveri që u ka hipur në kurriz qytetarëve.
Të Gramshit nuk merrnin as bonus qiraje. 6 vjet te mos japin zgjidhje. 6 vjet. E gjen kudo, e gjen edhe në Rrjoll, të jesh banor shekullor, të jesh lindur aty dhe vjen një dite të rrahin, të marrin pronën”- u shpreh ndër të tjera Kapri.