Vdes në spital autori i masakrës në Krakov, Polonia në zi për viktimat e sulmit me armë

Autori i sulmit me armë zjarri në qendrën historike të Krakovit, në Poloninë jugore, ka ndërruar jetë në spital në orët e para të 9 nëntorit, pasi ndodhej në gjendje kritike që prej ndërhyrjes së policisë.

24-vjeçari polak u qëllua nga efektivët për t’i dhënë fund sulmit të përgjakshëm, ndërsa pavarësisht ndërhyrjeve kirurgjikale, nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.

Ngjarja ndodhi pasditen e 7 nëntorit, kur autori hyri me automjet në sheshin kryesor të qytetit dhe hapi zjarr ndaj kalimtarëve, fillimisht nga brenda makinës. Si pasojë, gjashtë persona humbën jetën, katër gra dhe dy burra, ndërsa 16 të tjerë mbetën të plagosur.

Mes viktimave ishin katër shtetas polakë, një britanik dhe një shtetase austriake. Në mesin e të plagosurve kishte edhe turistë nga Britania e Madhe, Austria, Gjermania, Portugalia dhe Rusia, si dhe dy efektivë policie.

Hetimet zbuluan gjithashtu një tjetër skenë të rëndë në banesën familjare të autorit, në qytetin Ostrowiec Świętokrzyski. Atje policia gjeti trupat e pajetë të babait 53-vjeçar, nënës 52-vjeçare dhe motrës 21-vjeçare të të riut. Sipas dyshimeve të hetuesve, ai i kishte vrarë familjarët përpara se të nisej drejt Krakovit.

Mediat polake e kanë identifikuar autorin vetëm me inicialet Michał O., në respektim të ligjeve për privatësinë. Ai ishte anëtar i një klubi qitjeje sportive, nuk rezultonte me precedentë penalë dhe zotëronte licencë për armëmbajtje. Dyshohet se gjatë sulmit përdori një prej armëve që kishte në pronësi të ligjshme.

Prokuroria Kombëtare e Polonisë ka nisur hetimet për vrasje dhe tentativë vrasjeje, duke e trajtuar ngjarjen si akt terrorist. Sipas hetuesve, sulmi kishte si qëllim të shkaktonte frikë dhe terror në një numër të madh njerëzish.

Ministri i Brendshëm, Marcin Kierwiński, deklaroi se të dhënat paraprake tregojnë se 24-vjeçari ishte ndikuar nga ideologji radikale dhe ultranacionaliste. Kryeministri Donald Tusk e cilësoi ngjarjen si akt terrorizmi.

Pas tragjedisë, Presidenti polak Karol Nawrocki shpalli dy ditë zie kombëtare, më 8 dhe 9 nëntor, ndërsa autoritetet lokale në Krakov e zgjatën zinë deri më 11 nëntor.

Pavarësisht vdekjes së autorit, hetimet do të vijojnë për të zbardhur plotësisht motivet e sulmit. Prokuroria ka njoftuar se autopsitë e nëntë viktimave do të nisin më 9 nëntor dhe mund të zgjasin rreth dy ditë.