Franca ka akuzuar Gardën Revolucionare Islamike të Iranit për një sulm kibernetik masiv ndaj sistemeve frigoriferike të rreth 700 supermarketeve, i cili muajin e kaluar shkaktoi dëmtimin e sasive të mëdha të produkteve ushqimore të freskëta dhe të ngrira.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, e cilësoi sulmin si një nga incidentet më të rënda të këtij lloji në vend, duke deklaruar se bëhet fjalë për sulmin e parë kibernetik në shkallë të gjerë me qëllim sabotimin në territorin francez.
“Ky ishte një sulm me përmasa dhe agresivitet të paprecedentë”, u shpreh Barrot, duke shtuar se incidenti përbën një kërcënim serioz për interesat kombëtare dhe sigurinë e qytetarëve francezë.
Sipas hetimeve, hakerat kanë ndërhyrë nga distanca në sistemet e frigoriferëve dhe ngrirësve, duke aktivizuar ciklet e shkrirjes dhe duke rritur temperaturat e pajisjeve. Si pasojë, janë dëmtuar sasi të mëdha ushqimesh, ndërsa disa pajisje frigoriferike kanë marrë flakë.
Ministria e Jashtme franceze ka njoftuar se ambasadori iranian është thirrur për të dhënë shpjegime, ndërsa Parisi po shqyrton vendosjen e sanksioneve në nivel evropian si kundërpërgjigje ndaj sulmit.
Edhe Prokuroria e Parisit ka konfirmuar se dyshimet përfshijnë Iranin, duke iu referuar përdorimit të gjuhës perse dhe adresave IP që tregojnë pajisje të vendosura në territorin iranian.
Deri më tani, Teherani nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj akuzave të autoriteteve franceze. Hetimet për sulmin vijojnë.