Transferimi i Veliajt në Fier dhe vizita e Gogut, Drejtoresha e Burgjeve përgjigjet shkurt: Janë sekrete!

Në mbledhjen e Komisionit për Çështjet e Brendshme, Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, kërkoi shpjegime nga Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, Sadleva Bodo, lidhur me procedurën e transferimit të kryebashkiakut të Tiranës dhe takimin që ministri zhvilloi me të.

Kapri kërkoi gjithashtu të mësonte nëse rasti po verifikohet nga institucionet përgjegjëse dhe nëse vizita e ministrit është objekt hetimi.

“Dua të di edhe orën kur ministri ka shkuar në takim me zotin Veliaj dhe takimi është bërë në zyrën e drejtorit të burgut të Fierit. Po e hetoni këtë rast dhe kjo vizitë a po hetohet?”, pyeti Kapri.

Në përgjigjen e saj, Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, Sadleva Bodo, tha se për marrjen e informacionit duhet të ndiqet procedura përmes një kërkese zyrtare. 

Bodo deklaroi se urdhrat e transferimit janë klasifikuar si akte me nivel sigurie “i kufizuar” dhe kanë afat ruajtjeje dy vjet.

Ndërsa raportet, memorandumet dhe vlerësimet individuale që hartohen për transferimet për arsye sigurie klasifikohen si “sekret” dhe ruhen për 10 vjet.

“Të premten firmosa 93 urdhra transferimi, kompetencë e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.

Me përgjegjësi të plotë ju them se urdhri i transferimit është klasifikuar, futet në kategorinë e akteve të klasifikuara me nivelin e kufizuar dhe me afat ruajtje dy vite.

Çdo raport, memo, vlerësim individual mbi rastin që kryhet për shkaqe sigurie futet në kategorinë ‘sekret’ dhe ruhet për 10 vite”, deklaroi Bodo.