Detaje të reja janë mësuar në lidhje me akuzat e reja që SPAK po heton ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, e cila ndodhet në masën “arrest shtëpie”.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se Ergys Agasi e paguante Vlora Hysenin për të marrë informacionet e SHISH.
Vlora Hyseni dyshohet se ka ndihmuar me informacionet sekrete shtetërore biznesmenin Ergys Agasi gjatë kohës që ky i fundit ka qenë në kërkim nga SPAK për aferën e AKSHI-t.
Nga dokumentet që Report Tv ka lexuar thuhet se Vlora Hyseni dyshohet se përfitoi të paktën 500 mijë euro nga Ergys Agasi përmes vëllezërve të saj në Gjermani.
Sipas hetimeve që Prokuroria e Posaçme po kryen mund të konkludohet se ish shefja e SHISH të akuzohet edhe si anëtare e grupit të strukturuar kriminal të Ergys Agasit.
Pra, përveç akuzave për nxjerrje të sekretit shtetëror, korrupsionit apo pastrimit të parave mund t’i ngrihet edhe vepra penale e anëtares së grupit të strukturuar kriminal.
Ndërkohë SPAK dyshon se Agasi, në burg për dosjen e AKSHI-t ishte pajisur nga zyrtarë të Policisë së Elbasanit me targa të paidentifikueshme, të cilat zakonisht përdoren vetëm për disa institucione specifike shtetërore.