Vëllai i Viktor Orban ndalohet në Hungari, dyshohet për trafikim të qenieve njerëzore

Vëllai i ish-kryeministrit hungarez Viktor Orban, Áron Orban, është ndaluar nga autoritetet në Hungari, nën dyshimet për përfshirje në trafikimin e qenieve njerëzore. Lajmi është bërë publik nga kryeministri hungarez Péter Magyar, i cili iu referua raportimeve të mediave vendase për operacionin policor.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Magyar bëri të ditur se hetimet po zhvillohen nga Zyra Kombëtare për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Pasurive, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit.

Sipas mediave hungareze, operacioni është zhvilluar në Budapest dhe në disa zona të qarkut të Pestit. Gjatë aksionit janë ndaluar disa persona, ndërsa autoritetet kanë kryer kontrolle edhe në banesa.

Emri i Áron Orban ishte përmendur më herët në një hetim lidhur me skema të dyshuara për lehtësimin e pajisjes me viza Shengen të shtetasve të huaj. Kompania e lidhur me të dyshohet se kishte ndërmjetësuar regjistrimin e shtetasve vietnamezë në një kurs dyditor të ndihmës së shpejtë pranë Universitetit të Pécsit, procedurë që dyshohet se mund të përdorej për të lehtësuar marrjen e vizave.

Deri më tani, autoritetet hungareze nuk kanë bërë publike të gjitha detajet e operacionit dhe akuzat konkrete ndaj personave të ndaluar. Pritet që në vijim të ketë më shumë informacion mbi ecurinë e hetimeve dhe rolin e personave të përfshirë.