Pajisjet e reja për shpërndarjen e protestuesve, Kapri kërkon transparencë nga drejtori i Policisë së Shtetit

Dhuna e përdorur nga policia ndaj protestuesve në Tiranë është bërë temë debati mes deputetit të Partisë Mundësia, Erald Kapri dhe drejtorit të Policisë së Shtetit, Skëdër Hita në mbledhjen e Komisionit për Çështjet e Brendshme.

Kapri kërkoi shpjegime nga Hita, lidhur me autobotet e ujit, dronët dhe pajisjet e tjera të përdorura gjatë protestave dhe se si ka arritur policia ti sigurojë ato brenda një kohe të shkurtër.

Kapri kërkoi të dinte sa ka kushtuar blerja e këtyre pajisjeve apo nëse ato janë dhuruar, duke ngritur pikëpyetje për mundësinë e zhvillimit të procedurave të tenderimit në një kohë kaq të shkurtër.

Ndërkohë Hita tha se këto pajisje janë marrë në përdorim nga policitë partnere, dhe se nuk është shpenzuar asnjë lek nga buxheti i shtetit.

Erald Kapri – Nënvizuat 15 herë fjalën pajisje, duke evidentuar që policia do ketë makina të reja, pajisje të reja, madje shotgun të rinj dhe pistoleta elektrike.

Në menaxhimin e protestës është vënë re shtimi i disa pajisjeve, 4 bote të reja uji, 2 të bardha e 2 të zeza që hedhin ujin në lartësi, përdorimi i dronëve ku u hodhën dhe bombola me gaz lotsjellës, 2 dronë ranë në tokë. Sa keni shpenzuar për blerjen e këtyre pajisjeve? Në kaq ditë ka qenë e vështirë të bëni tender, pra janë dhuruar nga dikush. Nga kush janë dhuruar, se tashmë janë në inventarin e Policisë së Shtetit?

Cilat janë hapat konkretë për sulmin me plumb gome? Është pranuar se ka një hetim, a po shkon në zinxhirin e komandës, për thyerjen e këmbës së Ballës dhe Skanës që u përplas në tokë?

Ku jeni bazuar ju që pasi tentoni të neutralizoni elementë të dhunshëm në protestë, policia sulet?

Keni angazhuar repartet si Shqiponja të maskuar, me makina të paidentifikuara dhe tani kemi vendime gjykatash që kanë thënë që për 62 raste kemi shoqërime të paligjshme.

Kush e dha urdhrin që reparti RENEA rrethoi Kryeministrinë i armatosur? Nuk ka ndodhur kurrë kjo. E dhatë ju apo u kërkua nga kryeministri?

Në rastin më të parë që vendosët një gjobë 500 mijë lekë të reja, ia vendosët një të mituri?

Është lëshuar policia si këmishëzinjtë e Musolinit që rreh njerëzit rrugëve.

Xhaçka – Ruani qetësinë e bëni pyetje.

Kapri – Ku e di ti që s’kam mbajtur qëndrim për dhunën?

Arkend Balla – Po promovoni dhunën ndaj Policisë së Shtetit.

Kapri – A jeni koshientë që keni shkatërruar të drejtën kushtetuese për të protestuar?

Ju bëj thirrje që t’i thërrisni arsyes dhe t’i drejtoheni zbatimit të ligjit dhe Kushtetutës, nuk jeni drejtor i policisë së Edi Ramës.

Arkend Balla – Ndryshe nga Kapri që e shikon policinë si një armike, dua të bëj një pyetje. A është planifikuar ndërtimi i ndonjë godine, se dhe komisariatit dhe drejtorisë së qarkut ia kanë një godinë? A është parashikuar që të kenë godina veç e veç?

Çelaj – Duke parë buxhetin e rritur, në vijim të pyetjeve të kolegut Kapri, do preferoja ta quaja buxhet i rritur si rezultat i presionit të protestuesve. Ndjej respekt për çdo punonjës policie që zbaton ligjin.

Bledi Çuçi – Besoj se jemi në kushtet më të balancuara të sjelljes së policisë. E mira është që dhe ju bini dakord që molotovi, gurët, hekurat e lëshuara mbi policinë janë të dënueshme.

Kam një pyetje për trajtimin ushqimor të punonjësve të policisë, çfarë formule do përdoret këtë vit?

Vitet e tjera u kemi dhënë nga një kartë për këto shpenzime, pastaj e ndryshuam kur alokuam shumën e caktuar. Dua një informacion për këtë formulë që do ndiqet në vitin 2027 lidhur me trajtimin ushqimor të punonjësve të policisë.

Skënder Hita – Për automjetet e reja që posedon Policia e Shtetit është shpenzuar 0 lekë nga buxheti i shtetit që të kenë rënduar mbi xhepat e qytetarëve shqiptarë.

Përderisa nuk është harxhuar asnjë lek dhe jemi duke diskutuar për buxhetin, mendoj që nuk ka asnjë vend për të diskutuar për këtë pjesë. Policia e Shtetit përdor të gjitha pajisjet speciale që ka në përdorim në bazë të ligjeve dhe VKM-ve, duke filluar që nga autobotet, dronët dhe pushkët që përdor gjatë protestave.

Kapri – Nga kanë ardhur?

Skënder Hita – Ato janë marrë në përdorim dhe nuk janë të dhuruara nga policitë partnere. Në këtë kontekst, për sa i përket edhe dëmtimit të protestuesve dhe punonjësve të policisë, nuk do dëshiroja që të kishte qoftë dhe një të dëmtuar të vetëm, por fakti është që nga dita e parë e protestës, policia ka qenë në ruajtje të institucioneve, është gjendur nën një breshëri gurësh dhe unë këtu po ju tregoj disa foto që ka policë të dëmtuar dhe shumë rëndë, edhe policë me këmbë të thyer, edhe policë me kafkë të thyer.