Vdekja e 28 vjeçarit në Shëngjin/ I riu punonte në të zezë, ra nga kati i 9-të që po ndërtohej pa leje, 3 në kërkim (EMRAT)

Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë që ndodhi një ditë më parë në Shëngjin ku 28 vjeçari Emiliano Frroku humbi jetën teksa po punonte në një pallat në ndërtim. Mësohet se viktima punonte në të zezë në ndërtimin e dy kateve shtesë që ishin pa leje në objekt.

I riu në momentin e ngjarjes po montonte vinçin, i cili u shkëput dhe ra nga kati 9 i pallatit, e për pasoje gjeti vdekjen e menjëhershme 28-vjeçari Emiliano Frroku.

Një ditë pas ngjarjes, policia ka shpallur në kërkim tre persona, ndërsa një tjetër është proceduar në gjendje të lirë. Ata janë Leon Ndoci pronari i firmës, Martin Biba administrator dhe Loren Haxhia inxhinier. Ndaj tyre janë ngritur akuzat “Shkelja e Rregullave të Sigurisë në Punë” dhe “Ndërtim pa leje”

Ndërkaq nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Punësimi i paligjshëm”, për një 44-vjeçar, punëtor i firmës së ndërtimit.

Aksidentet në vendin e punës vijojnë të marrin jetë njerëzish në vend, duke rikujtuar edhe ngjarjen e rëndë të ndodhur në kapanonin në Lushnje, ku humbën jetën babë e bir, në mars të këtij viti.