“Vajza u zhduk, nuk erdhi as në varrim”, flasin shokët e 18 vjeçarit që u vra me thikë pas sherrit në Tiranë

Shokët e Aurelio Dervishit, 18 vjeçarit në Tiranë që mbeti i vdekur pak ditë më parë pas një sherri banal, kanë treguar sot dëshmitë e tyre.

Dy shokët e viktimës folën për emisionin “Me zemër të hapur” ku treguan se sherri ndodhi pasi ata kishin dalë me dy vajzat adoleshente.

Ata kanë thënë se vajza që po dilte me Aurelion është 17 vjeç, dhe as ajo e as 16-vjeçarja që ndodhin në makinë me ta në mbrëmjen e krimit, nuk kanë qenë të pranishme në ceremoninë mortore. Ndërsa shtuan se nuk i gjejnë dot as edhe në rrjetet sociale.

“Vajzat nuk kanë qenë në varrim, në rrjetet sociale i kemi kërkuar, por nuk na dalin. Jemi të bllokuar. Për familjen e Aurelios dhe për ne nuk është e lehtë. Duam drejtësinë e shokut, askujt mos t’i ndodhë. Ne nuk jemi larguar, kemi qenë prezent aty në çdo sekondë”, thanë shokët e Aurelio Dervishit.

Ndërsa njëri prej tyre ngriti pretendimin se autorët mund t’i kenë bërë pritë.

“Nga shoqëria jonë kemi dëgjuar që kanë qenë tek kafja në momentin kur ne kemi shkuar dhe më pas kemi dalë. Thuhet se kanë dashur të na ndjekin, por i kemi ikur nga sytë. Kur jemi kthyer, jemi përplasur tek Rrethi i Shkozës. Kur kemi ardhur nga Unaza e Re, tek rrethi ata kanë marrë rrethin dhe kanë qenë afër nesh. Thonë që qenë hera e dytë që kanë dalë për të parë për ne. Unë jam mirë, kam plagë të vogla në sy, në trup kam marrë goditje dhe tek gjuri”, shtoi Mario, shoku i viktimës.

Mario ka treguar se ka qenë Frensis Shehu i cili bllokoi rrugën me makinë, kërkuan të largoheshin nga vendngjarja, pasi nuk donin të konfliktoheshin.

Sipas tij, 20-vjeçari i kërcënoi duke u thënë se “do ju bëjmë vrima-vrima” dhe i kërkoi shokut të tij të nxirrte thikën.

I riu rrëfeu se në atë moment filloi përplasja mes tyre dhe kur arriti të largohej nga  agresorët, pa Aurelio Dervishin që po qëndronte i mbështetur tek hekurat në korsinë e biçikletave.

Mario u shpreh se në atë moment vrapuan drejt tij, por 18-vjeçari ra pa ndjenja në tokë.