U ekstradua nga Franca pak muaj më parë, Behar Bajri lë qelinë dhe shtrohet në spitalin e burgut

Behar Bajri ka lënë qelinë e burgut dhe është transportuar në ambjetet e spitalit të këtij institucioni. Prej disa ditësh Bajri po merr mjekim pasi ka shfaqur shenja të komplikacionit shëndetësor. Deri në rekuperimin e tij ai do të qëndrojë në spital duke u vëzhguar nga mjekët por edhe gardianë të burgut, sipas burimeve të Oranews.

Behar Bajri u arrestua më datë 4 shtator 2023 në një lokal në Strasburg të Francës, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në korrik 2023 në kuadër të dosjes “Metamorfoza”.

Ai u ekstradua nga Franca, më 16 nëntor 2023, nën masa të rrepta të sigurisë. Ndaj tij rëndojnë disa akuza, ku ndër më të rëndat janë vrasja dhe grupi i strukturuar kriminal. 

Akuzat ndaj Bajrit: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” dhe “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, kryer në bashkëpunim”.