Trump i vendos BE-së afat deri më 4 korrik për marrëveshjen tregtare, paralajmëron tarifa më të larta

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka dhënë Bashkimit Europian afat deri më 4 korrik për të zbatuar plotësisht marrëveshjen tregtare të arritur vitin e kaluar në Skoci, duke paralajmëruar se tarifat ndaj bllokut europian do të rriten “menjëherë në nivele shumë më të larta” nëse Brukseli nuk përmbush angazhimet e tij.

Njoftimi erdhi pas asaj që Trump e cilësoi si një “telefonatë të shkëlqyer” me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, më 7 maj. Dy liderët diskutuan gjithashtu konfliktin në Lindjen e Mesme dhe qëndrimin e përbashkët kundër pajisjes së Iranit me armë bërthamore.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump deklaroi se kishte “pritur me durim që BE-ja të përmbushte pjesën e saj të Marrëveshjes Historike Tregtare të arritur në Turnberry të Skocisë, marrëveshja më e madhe tregtare ndonjëherë”.

“Ata premtuan se do të zbatonin marrëveshjen dhe, sipas dakordësisë, do t’i ulnin tarifat në zero”, shkroi ai.

Trump shtoi se kishte rënë dakord t’i jepte kohë deri në 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së, më 4 korrik 2026, përndryshe tarifat ndaj produkteve europiane “do të rriteshin menjëherë ndjeshëm”.

Afati i ri duket se zbut përkohësisht kërcënimin e bërë vetëm pak ditë më parë, kur Trump paralajmëroi rritjen e tarifave për makinat dhe kamionët e prodhuar në BE nga 15% në 25%.

Sektori automobilistik përfaqëson rreth 8% të gjithë tregtisë mes SHBA-së dhe Bashkimit Europian, sipas Shoqatës Europiane të Prodhuesve të Automjeteve.

Nga ana e saj, Von der Leyen e cilësoi bisedën me Trump si “shumë pozitive” dhe tha se të dyja palët mbeten “plotësisht të angazhuara” për zbatimin e marrëveshjes.

“Po bëhet progres i mirë drejt uljes së tarifave deri në fillim të korrikut”, shkroi ajo në rrjetet sociale.

Më herët gjatë javës, presidentja e Komisionit Europian kishte kundërshtuar kërcënimet e Trump, duke deklaruar se “një marrëveshje është marrëveshje” dhe se Brukseli ishte “i përgatitur për çdo skenar”. Ajo kujtoi gjithashtu se, sipas marrëveshjes së vitit të kaluar, SHBA-ja nuk mund të rriste në mënyrë të njëanshme tarifat mbi kufirin e dakordësuar prej 15%.

Marrëveshja fillestare, e nënshkruar në resortin e golfit të Trump në Turnberry në korrik 2025, parashikonte tarifa 15% për shumicën e eksporteve të BE-së drejt SHBA-së dhe angazhimin e Europës për të blerë 750 miliardë dollarë energji amerikane.

Megjithatë, zbatimi i saj është komplikuar pas një vendimi të Gjykatës Supreme të SHBA-së në shkurt, e cila konstatoi se Trump nuk kishte autoritetin ligjor për të shpallur emergjencë ekonomike dhe për të vendosur tarifat fillestare të gjera.

Pas këtij vendimi, administrata amerikane ka aplikuar një tarifë 10% për mallrat europiane, ndërsa vazhdon shqyrtimin e balancave tregtare dhe çështjeve të sigurisë kombëtare.

Sa i përket Iranit, Trump deklaroi se ai dhe Von der Leyen janë “plotësisht të bashkuar” kundër ambicieve bërthamore të Teheranit, ndërsa presidentja e Komisionit Europian paralajmëroi se “rreziqet për stabilitetin rajonal dhe sigurinë globale janë tepër të mëdha”.