Ngritja e komisionit të posaçëm anti-korrupsion, e parashikuar që të votohej nesër në Kuvend, pritet që të shtyhet.
Mazhoranca është tërhequr nga vendimi për ta miratuar vetëm me votat e saj, ndërsa opozita e zyrtarizoi sot qëndrimin se nuk do ta votonin.
Pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD, më herët gjatë ditës, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat e cilësoi komisionin një propagandë dhe se ishte futur në rendin e ditë së seancës së nesërme, pa u konsultuar me ta.
Burime për mediat bëjnë me dije se projekt vendimi për ngritjen e këtij komisioni mund të tërhiqet nga rendi i ditës në seancën e nesërme.
Kjo për t’i dhënë më shumë kohë opozitës në qartësimin e pozicionit të tyre.
Komisioni është konceptuar me 11 anëtarë, 6 nga PS dhe 5 nga opozita, ndërsa drejtimi do t’i besohet ish-ministrit Fatmir Xhafaj.
Rikujtojmë se opozita nuk mori pjesë as në votimin e projekt rezolutës, e cila u miratua vetëm me votat e socialistëve, ndërsa kundër votuan dy deputetët Agron Shehaj dhe Dashnor Sula.