Tentoi të shiste një armë zjarri, arrestohet në flagrancë 23-vjeçari në Tiranë

Një i ri është arrestuar në flagrancë mëngjesin se kësaj të mërkure në zonën e “Don Boskos” pasi mbate armë me vete dhe kishte planifikuar shitjen e saj.

Sipas policisë, i arrestuari është Armand Deda, banues në Tiranë.

Gjatë kontrolleve të kryera, përveç pistoletës, i riu mbante dhe municion luftarak. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e veprimtarisë së tij kriminale.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet operacioni “Gracka”. Sekuestrohet 1 pistoletë me municion. U kap në flagrancë në zonën e Don Boskos, me armën e zjarrit që do ta shiste, vihet në pranga 23-vjeçari.

Si rezultat i kontrolleve të befasishme, të kryera në vijim të punës policore për garantimin e rendit dhe për goditjen e paligjshmërive, Seksioni i Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, finalizoi operacionin “Gracka”.

Gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë, në rrugën “Demir Progni”, shtetasi Armand Deda, 23 vjeç, banues në Tiranë.

Nga kontrollet u konstatua se ky shtetas kishte me vete 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, të cilën dyshohet se do ta shiste.

Vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.