Të vërtetat ekonomike mbi “minierën” e Shpiragut

Nga Kolindo Vjerdha

Kjo është një analizë e kontratës nga pikëpamja ekonomike, mbi disa dritëhije dhe deklarata të bëra ditët e fundit.

Së pari kompania hollandeze SHELL është një kompani serioze e kuotuar në bursë, gjë e cila e frenon atë të dalë me deklarata të nxituara pasi të gjitha këto do të ndikonin mbi vlerën e aksioneve të saj në bursë. Përderisa kompania nuk ka asnjë prononcim publik dhe e cilëson gjithçka në vazhdën e një pune shkencore pa asnjë analizë ekonomike atëherë kjo do të thotë se duhet të presim.

Së dyti, edhe po ta marrim të mirëqënë faktin se provat do të rezultojnë pozitive, përsëri duhet të presim analizën kosto- përfitim që do zhvillojë kompania. Pra e thënë më thjeshtë a ia vlen të zhvillohet ky investim dhe këto kosto shpimi në këto thellësi, ku edhe relievi është kompleks për ato përfitime që duhet të përllogariten, por që për momentin nuk janë të njohura.

Së treti, të ndalemi te kontrata e nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë (e përfaqësuar nga AKBN) dhe SHELL, ku në Nenin 7, pika 1 specifikohet se kompania do të mbulojë të gjitha kostot që nga Kërkimi, Vlerësimi, Zhvillimi e deri te kostot operative. Këto do të mbulohen nga të ardhurat e gjeneruara nga nafta që zbulohet.

Shteti shqiptar përfiton Rentën Minerare 10% dhe në momentin fillestar 1% si pasojë e kontratës nga “Faktori R”.

89% do të jenë në dispozicion të kompanisë për mbulimin e kostove të realizuara.

Gjithashtu sipas legjislacionit vendas Kontraktuesi paguan masën 50% të tatimit mbi fitimin e dakortësuar edhe në kontratë.

Në kontratën e nënshkruar investimi minimal ishte parashikuar:

Periudha e parë e kërkimit ishte parashikuar 8,500,000 dollarë.

Periudha e dytë e kërkimit ishte parashikuar 8,300,000 dollarë.

Periudha e tretë e kërkimit ishte parashikuar 8,300,000 dollarë.

Çdo shpenzim duhet të mbulohet nga nafta që do prodhojë të ardhura.

Në deklaratën për shtyp iu kushtua një vemendje e shtuar e “Faktorit R”, i cili thjeshtë mund të shpjegohet si raporti mes të ardhurave kumulative të Kontraktorit me Shpenzimet kumulative të tij. Sipas shkallës së këtij raporti përcaktohen përfitimet mes palëve.

Nëse raporti do të jetë mbi 250% që është pika më e lartë e parashikuar në kontratë shteti shqiptar përfiton maksimumi deri në masën 15% nga marrëveshja për naftën, ndërsa për gazin është 0% në çdo skenar.

Në Nenin 7.6.2 parashikohet se nëse zbulimi do të jetë margjinal nga pikëpamja ekonomike dhe Kontraktori kërkon lehtësira të tjera tatimore për të vazhduar zhvillimin, palët përgjegjëse do të bëjnë përpjekjet më të mira për të patur lehtësi tatimore. Pra e thënë më thjeshtë më shumë përfitim për Kontraktuesin dhe më pak përfitim për shtetin shqiptar, kjo e parashikuar në marrëveshje.

Në këto kushte ku shifrat mungojnë, ku analiza ekonomike nuk është realizuar dhe ekspertiza zyrtare është e pazbardhur, çdo deklaratë është e nxituar. Marrëveshja e ka të dakortësuar çdo shifër dhe çdo detaj sipas ecurisë së procesit.

Çdo zbulim në sektorin e hidrokarbureve është e pamohueshme që sjell përfitim për shtetin, qoftë edhe vetëm në vende pune dhe detyrime tatimore, ama çdo propagandim i të tilla niveleve, me krahasime “donkishoteske” me vendet arabe është i tepërt dhe mirfilltazi me qëllime politike. Nuk meritojmë kaq shumë përralla me heronj luftrash.

Kontrata e paraqitur në Fletore Zyrtare: https://qbz.gov.al/…/a8709bbf-df8e-4c34-835e-370e1df1995d

Shpjegimi i kategorive të “Faktorit R” ⬇️