Dita e sotme duhet të ishte festë për shqiptarët, pasi në Gjakovë do të zhvillohej mbledhja e dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë, ku do të nënshkruheshin 13 marrëveshje në dobi të qytetarëve.
Gjithçka ishte gati nga ana teknike, me tapetin e kuq të shtruar dhe me tabelën e madhe “Të përbashkuar në Gjakovë”, si dhe ishin caktuar vendet ku do të rrinin kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti. Por anulimi i kësaj mbledhje në mënyrë të njëanshme nga Rama ka sjellë zhgënjim te pala kosovare.
Sipas tyre, ata që e pësojnë janë qytetarët, pasi marrëveshjet që do të nënshkruheshin ishin vetëm për ata. Kalimi i Ramës në krahun e Aleksandër Vuçiç ka ftohur edhe më shumë marrëdhënien e tij me Albin Kurtin, por jo vetëm. Qytetarët e Kosovës por edhe ata shqiptarë e kanë kritikuar Ramën për qëndrimin e tij, pasi sipas tyre, Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë një dhe duhet të mbështesin njëra tjetrën në çdo situatë.