Arben Ahmetaj është emri më i klikuar dhe më i përfolur javën e fundit në vendin tonë, pas kërkesës së SPAK për ta arrestuar, por edhe pas arratisjes nga Shqipëria për t’i shpëtuar “kthetrave” të drejtësisë.
Pas disa ditësh heshtje, mbrëmë në emisionin “Opinion” ai reagoi për herë të parë, duke shkruar një mesazh, theksi i të cilit binte te pafajësia që Ahmetaj kërkon për vete, pasi sipas tij, asnjë akuzë që rëndon mbi të nuk është e vërtet.
Por postimi i gjatë në rrjetet sociale në mëngjesin e sotëm do të bënte që shqiptarët të “nguleshin” në profilin e tij, për të parë se çfarë kishte shkruar ish-ministri që të gjithë e duan në burg.
Opinioni publik tashmë pothuajse është i gjithë kundër Ahmetajt, pas provave të publikuara nga SPAK, ku tregohet se ai ka vjedhur nga paratë e buxhetit të shtetit. Ndaj edhe ish-ministri e nis mesazhin me përshëndetje për qytetarët dhe votuesit e tij, për të treguar më pas edhe disa nga punët e mira që ai ka bërë kur ishte pjesë e qeverisë, duke u përpjekur t’i “zbusë” sadopak sytë e shqiptarëve që kanë rënë mbi të.
Diçka e pritshme, pasi Ahmetaj e di mirë se opinioni publik në raste të tilla është shumë i vlefshëm, pavarësisht se provat janë kundër tij. Por ato që shkruhen më poshtë janë të gjitha për t’u rilexuar dhe kuptuar, pasi një person si ai, që di shumë mbi atë që akuzohet, nuk mund të shkruajë vetëm rreshta justifikimesh.
“Avokati im në Këshillin e Mandateve citoi një thënie të vjetër nga Franca ‘E shoh që dy zgjidhje të mundshme ka në tavolinë, ose do të bjerë koka e mbretit, ose ju do të duhet të pranoni dështimin e revolucionit’, shkruan mes rreshtave Ahmetaj, teksa më poshtë shton “Unë jo e jo që s’kam gjak blu, por jam një njeri tejet i zakonshëm…”. Por kush është mbreti në aferën e inceneratorëve? Sigurisht që Ahmetaj nuk ka qenë i vetmi në këtë mega aferë, dhe sigurisht që kjo vjedhje qindra milinë euro nuk mund të bëhej pa bekimin e atij, kryetarit të qeverisë, që deri më sot ka mohuar çdo akzuë dhe vazhdon të mbrojë inceneratorët.
“Per mos marje pjese ne procedure te tenderave dhe koncesioneve, per shkak te pozicioneve te mija zyrtare. Pozicionet e mia zyrtare ne ministri te ekonomise apo financave nuk marin pjese ne procedura. Letrat jane atje. Skam mare pjese procedurat e inceneratoreve. Letrat do dalin, e nese dikush do te kerkoje ti fshehe, do dalin gjithsesi”, shkruan më poshtë Ahmetaj.
Një akuzë direkte që bie mbi atë që po fsheh dokumentet sipas Ahmetajt, por që ish-ministri këtë herë nuk guxon t’ia përmendë emrin. Por kush është vallë ky njeri kaq me pozitë sa arrin të fshehë dokumente shumë të rëndësishme edhe nga duart e SPAK? Pas “mbretit” më sipër, tashmë del edhe një tjetër person i përfshirë, emri i të cilit nuk ka dalë ende.
“Kam mare kercenime (I kam me screenshot e me ze ndoshta), madje se fundi dhe nje mesazh triumfi si mirseardhje…Nese do ta meritoj, sigurisht qe do ndodhi…po jo perpara se e verteta te mari rruge e drite”, vijon të shkruajë ish-ministri. Por cilët janë këta persona kaq shumë të fuqishëm sa arrijnë të kërcënojnë një ish-ministër dhe një nga personat më me pushtet gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste? Rrethi vijon të zgjerohet, por për emrat duket se do na duhet të presim.
Në fund vjen dhe fjalia e shkurtër, por me një mesazh të madh të koduar. “I kerkoj te falur dhe votuesve te mi, po zoti e di t verteten, qe un do mundohem dit pas dite ta nxjer. To be continued…”.
Ahmetaj thotë se do mundohet që ta nxjerrë çdo ditë të vërtetën, por cilën të vërtetë. Atë që thotë SPAK në dosje, apo ka një të vërtetë tjetër që po mbahet e fshehtë nga të gjithë. Sigurisht që kjo çështje nuk mbaron këtu, madje do të zgjasë më shumë se kushdo e mendon.
E rëndësishme është që fajtorët të dënohen për atë që kanë bërë. Nuk ka rëndësi nëse është Ahmetaj, Zoto, Mërtiri apo vetë Edi Rama. Kushdo që ka vjedhur këtë popull të varfër, meriton ndëshkimin më të rëndë sipas ligjit.