“Të hetojë çdo qindarkë ndihma të dhëna vendit tonë“, Berisha: KE të instalojë në Shqipëri zyrën e prokurorit evropian

Edhe këtë të hënë, poshtë banesës së ish-kryeministrit Sali Berisha që ndodhet në “arrest shtëpie” janë mbledhur dhjetëra demokratë.

Berisha duke folur nga dritarja e banesës i ka bërë thirrje Komisionit Europian që të instalojë në Shqipëri zyrën e prokurorit evropian.

Sipas Berishës, kjo zyrë duhet të hetojë çdo qindarkë ndihma që i është dhënë Shqipërisë nga BE por që janë vjedhur nga qeveria e Ramës.

Sipas ish-kryeministirit, Komisioni Europian i ka dhënë Shqipërisë këto 32 vite miliarda euro, të cilat bëjnë më shumë se të gjitha ndihmat e të gjithë donatorëve të tjerë të marrë së bashku.

“Të dashur miq, beteja që Edi Rama bën kundër kandidatit të opozitës në Himarë, të zgjedhur me votat e qytetarëve të Himarës, është një betejë kryekëput antishqiptare, antidemokratike, mafioze, që ka vetëm për qëllim të mbrojë interesat mafioze të Edi Ramës, Olsi Ramës dhe klientelës së tyre mafioze.
Njeri primitiv me logjikë, i cili nuk mund të mbajë kurrë asnjë përgjegjësi. Këtu në Shqipëri bërtet ‘fajin e ka Saliu’, jashtë Shqipërie se ‘fajin e ka BE’.
Me paturpësinë më të madhe, me cinizëm ekstrem do deklaronte dje se problemi i madh, i tmerrshëm është ajo që BE jep për vendet të tjera dhe ajo që jep për ne.
Nuk ka paturpësi më të madhe. Së pari, duhet ta kemi të qartë çdo shqiptar, se Komisioni Europian i ka dhënë Shqipërisë këto 32 vite shumë miliarda euro, të cilat bëjnë më shumë se të gjitha ndihmat e të gjithë donatorëve të tjerë të marrë së bashku.
Komisioni Europian, këto ndihma i ka marrë nga taksapaguesit evropiane dhe të mos llogarisim këtu ndihmat e vendeve anëtare në marrëdhënie direkte.
Por Komisioni Europian konstatoi se ndihmat e tij për shqiptarët, i vidhte qeveria e Edi Ramës. Se ato ndihma përfundonin në jahte, përfundonin në hotele luksi, përfundonin në djegësa, në vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje.
Natyrisht Komisioni Europian nuk mund të japë ndihmë për t’i vjedhur Edi Rama dhe qeveritarët e tij.
Ndaj dhe në emër të BE, i bëj thirrje Komisionit Europian të instalojë në Shqipëri zyrën e prokurorit evropian, që të hetojë çdo qindarkë ndihma të dhëna Shqipërisë. Të hetojë fatin dhe destinacionin e tyre” – u shpreh Berisha.