Në Komisionin e Ligjeve ditën e sotme po diskutohet sërish projektligji që detyron studentët të punojnë për 5 vite në Shqipëri, pas diplomimit.
E pranishme në mbledhje ka qenë edhe ministrja e Arsimit Evis Kushi, e cila u shpreh e vendosur për të mos e ndryshuar vendimin. Por studentët nuk janë lejuar të futen në mbledhje ndaj edhe kanë paralajmëruar sërish protestë.
Në Komision Kushi tha se studentët nuk janë të detyruar për ta firmosur kontratën por po vendosen përpara një zgjedhje. Kushi tha se qytetarët kanë nevojë për mjekë, ndaj dhe qeveria ka ndërmarrë këtë nisëm për kontratën dhe nëse nuk firmoset studentët duhet të paguajë tarifën, ku citoi “Do paguajnë koston që do vendoset nga këshilli i ministrave, do jetë vetë universiteti që do vendosë se sa do jetë kosto çdo vit”.
“Do e marrin diplomën por koston do e paguajnë, nëse futet që në vit të parë me mendimin që do ikë në Gjermani, s’ka pse përfiton nga taksat. Asnjë student nuk vendoset para detyrimit, por vitet para zgjidhje ose firmos kontratën ose paguan koston. Do paguajnë koston që do vendoset nga këshilli i ministrave, do jetë vetë universiteti se sa do jetë kosto çdo vit. Duhet të ofrojmë shërbim shëndetësor për qytetarët, ata zgjedhin vetë, diploma do i mbahet atyre që nënshkruajnë, ky është mekanizmi më i mirë në vazhdën e ndërmarrë deri më tani. Nuk kemi për qëllim ti marrim para studentëve por të ofrojmë shërbim mjekësor, ne nuk e detyrojmë thjesht po i vendosim përpara marrëveshjen”, tha Kushi.
Pas kësaj, studentët në një dalje për mediat kanë paralajmëruar që më datë 20 do të jenë para parlamentit, ku pritet të kalojë edhe projektligji.
“Me datë 20 do të jemi në parlament, ku do të bëhet edhe votimi, duam të na bashkohen edhe më shumë maturantë, edhe prindër, se e dinë me ca sakrificash i sjellin në Tiranë”– thanë ata për mediat.