Elton Qyno
Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, ishin dyshja e “luanëve” të preferuar të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, që vetë ata në komunikimet spontane i kishin ngjitur nofkën “Tigre”.
Zoto dhe Mërtiri, janë mbuluar në mënyrë të vazhdueshme nga Arben Ahmetaj, i cili gjatë kohës kur ishte në detyrë, përveçse i ka ndihmuar në fitimin e konçesionit të inceneratorit Elbasan-Fier dhe Tiranë, ka shërbyer për dyshen e famshme dhe si ndërlidhës-konsulent për ta.
Dy “Luanët” Zoto-Mërtiri dhe vetë “Tigri”, Arben Ahmetaj në cilësinë e ministrit, dukshëm bëjnë biznes së bashku dhe kanë ndarë fitimet.
Dhe kjo gjë duket qartë në renditjen e fakteve që prokurorët Altin Dumani dhe Enkelejda Millonai kanë pasqyruar në dosjen dorëzuar Komisionit të Mandateve.
Në dosjen e prokurorisë së posaçme SPAK, jepen një tablo e qartë se si Arben Ahmetaj, u kërkon disa prej kryebashkiakëve të Partisë Socialiste që të prisnin në takim Mirel Mërtirin.
Në këto takime ky i fundit i prezantuar si biznesmen, implementonte projektin e instalimit të matësave inteligjentë të ujit. Një gjë e tillë është bërë me bashkitë Fier, Berat, Përmet, Sarandë, Pogradec, Korçë etj.
Pas çdo takimi që realizonte Mërtiri, ky i fundit konfirmonte tek Arben Ahmetaj ministër situatën optimiste, fitimet financiare që mund të realizoheshin nëse instaloheshin 2 apo 3 mijë matësa inteligjentë të ujit.
Por gjatë hetimeve të kryera SPAK, ka zbuluar se në raste të veçanta, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, kanë qëndruar si dy njerëz në hije gjatë procedurave të ankandin.
Por në finalizimin përfundimtar ata kanë dalë firmëtarët dhe konsulentët kryesorë të kontratës.
Një fakt i tillë është zbuluar përmes zbulimit të e-maileve në Lap-Topin e Klodian Zotos, ku dyshja Mërtiri Zoto, del kontrolluese kryesore e procedurës së shitjes për skrap të TEC-it Fier.
Shitja e skrapit nga ana e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik është bërë në vitin 2014 me një vlerë prej 1 miliard e 158 milian lekë të reja pa TVSH.
Fituesi i këtij ankandi thotë SPAK, është shpallur në 18 qershor 2014 shoqëria “Shijaku” e biznesmenit Shpëtim Shijaku, e cila rezulton të ketë blerë një sasi prej gati 5 milion kg hekur dhe çeliku.
Të gjithë procedurën e ankandit e ka ndjekur Klodian Mene, vëllai i Leonard Mene, kunat i ministrit të Energjitikës, Arben Ahmetaj, i cili ka firmosur personalisht autorizimin për caktimin e Menes në këtë detyre.
Ndërkohë raporti përfundimtar për shpalljen e fituesit “Shijaku” është miratuar nga likujdatori i shoqërisë “Petrol Alba” Sha, shtetasi Artan Gjokaj, njeriu më i afërm i ministrit Arben Ahmetaj.
Por SPAK thotë se pavarësisht, se palë kontraktore, në këtë marrëdhënie shfaqet shoqëria “Shijaku”, në fakt pas kësaj shoqërie, qëndrojnë pikërisht dy miqtë e shtetasit Arben Ahmetaj.
Ky konkluzion lexohet nga provat e administruara gjatë aktit të ekspertimit kompjuterik, të kompjuterit të sekuestruar Klodian Zoto.
Është evidentuar një E-mail i datës 8 korrik 2014, ku shtetësja Lela Filaj, ka përcjellë në adresën e E-mailit një E-mail me titull “Draft Kontrata” me përmbajtje:
“Përshendetje!Bashkëlidhur do të gjeni draft kontratën për shitjen e skrapit në TEC Fier. Nëse keni ndonjë sugjerim më komunikoni! Faleminderit!
Pra pavarësisht se rezulton shoqëria “Shijaku” si fituese konstatohet se procedura kontrollohet nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Në datën 16 korrik 2014 (pak pasi është krijuar edhe shoqëria “Albtek Energy” fituese e inceneratorit të Elbasanit), është lidhur kontratë shitje hekuri dhe çeliku të përftuar nga nxjerrja e aseteve jashtë përdorimit të TEC-it Fier, ndërmjet shoqërisë “Petrol Alba” përfaqësuar nga likuidatori Artan Gjokaj, dhe shoqërisë “Shijaku” përfaqësuar nga Shpëtim Shijaku.
Po në datën 16 korrik 2014 shoqëria “Shijaku” i dërgon E-mail shtetasit Arene Myrtezani me titull “Drafi kontrata Tec-Fier” dhe shtetasi Arene Myrtezani “Renci”, brenda pak minutave ia dërgon E-mailin e shtetases Lejla Filaj dhe shtetasit Klodian Zoto.
Ndërkohë po në të njëjtën datë, shoqëria “Shijaku” i dërgon E-mail adresës “klodian zoto bankers” me titull “Ngo Petrol Alba Urdhër pune FË: Sigurim kontrate Shijaku shpk”.