Sot skadon afati i vendosur ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ai i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak për pranimin e propozimit ndërkombëtar që synon uljen e tensioneve në veri.
Escobar doli dje hapur kundër Kurtit kur tha se shteti i tij qëndron me popullin e Kosovës, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk ka instikt bashkëpunimi”. Prandaj nëse përgjigjja e tij për futjen me çdo kusht të kryetarëve të rinj në zyrat e komunave serbe në Kosovë do të vazhdojë njëlloj, kjo do të merret si shenjë se Kurti nuk dëshiron bashkëpunimin me SHBA-në e BE-në.
“Ne gjithmonë do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që duhet ta mbështesim një individ që nuk ka atë instinkt të bashkëpunimit dhe koordinimit”, tha Escobar gjatë një takimi me gazetarë në Ambasadën amerikane në Prishtinë.
Escobar, së bashku me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, po zhvillojnë takime në Prishtinë dhe më pas në Beograd, duke tentuar që të gjejnë një zgjidhje pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, por ai u shpreh se situata është konfuze edhe për ta.
pyetur nëse raportet mes Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-së janë dëmtuar, Escobar tha “nuk është vetëm SHBA-ja, është i tërë komuniteti transatlantik”.
“Pra, nuk jemi vetëm ne, nuk janë vetëm 27 shtetet e BE-së, dhe SHBA-ja e Mbretëria e Bashkuar. Ne i shohim gjërat njësoj, ne jemi mbështetës. Po vjen prej diku tjetër. Dhe, po, mund të ketë një ndikim afatgjatë”, theksoi ai.
Escobar doli me kërkesa të qarta për qeverinë e Kosovës lidhur me frenimin e përshkallëzimit te situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja me pjesëmarrjen e serbëve dhe lëvizjen drejt implementimit të marrëveshjes së Ohrit. Për këtë, pas takimit të së hënës, zyrtari i lartë amerikan i dha Kurtit dy ditë kohë, afat ky që përfundon sot.