Financial Times: “Serbia po furnizon me armë Ukrainën, ja pse SHBA dhe BE po e mbështetin kundër Kosovës”

Sot është dita e 9-të e protestave në veri të Kosovës. Serbët e komunave Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale. Që prej javës së kaluar, kryetarët e rinj janë detyruar të ushtrojnë detyrën e tyre nga shtëpia. Autoritetet kosovare vendosën që kryetarët të futeshin në zyra me ndihmën e KFOR dhe policisë speciale të Kosovës, por ky veprim nuk u prit mirë nga protestuesit, duke orkestruar dhunë.

BE dhe SHBA nuk e mbështetën urdhërin e kryeministrit Albin Kurti, duke i quajtur masat e tij të dhunshme dhe duke mbështetur dialogun me Serbinë.

Por sipas gazetës britanike “Financial Times”, kjo po ndodh sepse Serbia në fakt po shet armë në Ukrainë dhe kështu fiton mbështetjen e BE-së dhe SHBA-ve. Në një intervistë për këtë gazetë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se nuk është kundër që vendi i tij t’u shesë municion ndërmjetësve që i dërgojnë ato armë në Ukrainë, duke dhënë kështu një sinjal që aleati i vendosur ballkanik i Rusisë po kthehet nga Perëndimi.

Aleksandar Vuçiç ka mbështetur tradicionalisht Moskën dhe ka refuzuar të bashkohet me sanksionet perëndimore ndaj Rusisë pas pushtimit të saj në shkallë të plotë të Ukrainës. Por duke ndryshuar qëndrim, ai tha se ishte në dijeni të raporteve të qeverisë amerikane se municionet serbe kanë përfunduar në Ukrainë nëpërmjet ndërmjetësve dhe se ai nuk kishte plane për ta ndaluar këtë.

“Edhe mund të ndodhë që armët t’i shiten Ukrainës”, u shpreh ai, “por cila do të ishte zgjidhja? Të mos prodhojmë dhe të mos shesim fare armë?”

“Sipas tre diplomatëve perëndimorë në rajon, gazsjellësi që dërgon municionet serbe në frontin ukrainas ka qenë një faktor vendimtar që ka ndryshuar qëmdrimin SHBA, NATO-s dhe BE-së ndaj Kosovës”, shkruan gazeta britanike.

I pyetur nëse ky ishte një hap i qëllimshëm për të fituar miratimin e kryeqyteteve perëndimore, Vuçiç pohoi se Beogradi u përpoq të vepronte në një “mënyrë neutrale”. Megjithatë ai pranoi se ishte në një pozicion të vështirë, mes Moskës dhe fuqive perëndimore, por tha se nuk do të ndihmonte luftën ruse, duke rënë dakord me rezolutat e OKB-së.

Ai shtoi se kanë mbaruar kohët kur ai fliste me presidentin rus Vladimir Putin çdo tre muaj, duke theksuar se ai nuk ka qenë në kontakt me Kremlinin për një vit përveç pritjes së vizitorëve nga Moska.

Lidhjet e forta të Serbisë me Rusinë dhe potenciali i saj për të prishur sigurinë rajonale kanë bërë që kryeqytetet perëndimore të mbajnë një qëndrim më të butë ndaj Beogradit, shkruan gazeta.