Përballja e prokurorit Ols Dado dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në seancën maratonë të datës 12.02.2025, është lajm dite.
Një audio ka qarkulluar masivisht në media dhe menjëherë interpretime të ndryshme rreth saj për gjuhën që prokurori i posaçëm ka përdorur.
E vërteta është që fjala “ndyrësirë”, që pretendon Veliaj, nuk dëgjohet të jetë thënë, të paktën nuk dëgjohet.
E megjithatë, dëgjohet qartë nervozizmi i prokurorit, i cili nuk e fsheh se ndihet i kërcënuar nga Veliaj në momentin që ai thotë adresën e shtëpisë së tij.
Dado përmend edhe disa mesazhe, mesa duket të së njëjtës natyrë kërcënuese.
Disa juristë, analistë e opinionbërës, të ndarë nëpër ekranet e televizioneve, kanë gjykuar se sjellja e prokurorit Ols Dado nuk ishte etike.
Ne nuk duam t’i futemi këtij gjykimi, por pamë çfarë ndodh përtej Shqipërisë. Cilat janë prokurorët e dalluar për gjuhën e ashpër, për tonin e tyre të drejtpërdrejtë dhe pa kompromis në gjyqe apo deklarata publike?
1. Jack Smith (SHBA) – Prokurori Special që heton Trump-in
Smith është i njohur për një qasje ligjore të rreptë dhe për përdorimin e një gjuhe të prerë, sidomos në aktakuzën kundër Donald Trump-it.
Në akuzën për përpjekjet për të përmbysur zgjedhjet e 2020, ai shkruan:
“I pandehuri përhapi gënjeshtra të përsëritura dhe të paqena për të mbajtur pushtetin me çdo kusht.”
Ai nuk përdor gjuhë diplomatike, por e përshkruan Trump-in si një individ që “ka manipuluar dhe ka mashtruar publikun amerikan për interesa personale.”
2. Nicola Gratteri (Itali) – Prokurori që lufton mafian ‘Ndrangheta
Gratteri është një nga figurat më të frikshme për mafian italiane. Ai flet hapur, duke i quajtur bosët e krimit të organizuar “tradhtarë të vendit” dhe “kafshë që jetojnë nga gjaku i të pafajshmëve.”
Në një intervistë për një proces gjyqësor masiv ndaj mafias, ai deklaroi:
“Mafia nuk është një legjendë urbane. Ata janë mes nesh, si një kancer. Dhe unë nuk do të ndalem derisa ta shkatërroj këtë kancer.”
Ai ka thënë publikisht për kriminelët e kapur:
“Kur i shoh në bankën e të akuzuarve, e di që më urrejnë, por unë nuk kam frikë. Unë jam këtu për t’i çuar atje ku e meritojnë: në burg.”
3. Alvin Bragg (SHBA) – Prokurori që akuzoi Trump-in për mashtrim financiar
Bragg ka përdorur një gjuhë ligjore të fortë në aktakuzat ndaj Trump-it për manipulim të të dhënave financiare.
Në një konferencë për shtyp, ai u shpreh:
“Ky është një rast klasik i mashtrimit të korporatave nga një njeri që mendonte se ligji nuk vlente për të.”
Gjatë një seance gjyqësore, ai sulmoi avokatët e Trump-it duke thënë:
“Ju mund të sillni sa justifikime të doni, por faktet janë të qarta: klienti juaj ka mashtruar për para dhe tani po përpiqet të shmangë pasojat.”
E mbase është rasti të kujtojmë se këta prokurorë nuk janë thjesht hetues të zakonshëm.
Përballë mafias, korrupsionit apo terrorizmit, ata nuk përdorin eufemizma.
Ols Dado nuk është një prokuror i zakonshëm i Prokurorisë së Tiranës apo ndonjë prokurorie rrethesh.
Ai është prokuror i Prokuorisë së Posaçme, SPAK, një institucion që po përballet me korrupsionin e pushtetit në nivelet më të larta.